
Dy të rinj janë arrestuar në Selanik nën akuzat për përfshirje në një organizatë kriminale që shfrytëzonte seksualisht vajza të mitura me probleme të shëndetit mendor dhe shpërndante materiale pornografike me fëmijë.
Operacioni u zhvillua të enjten në mëngjes nga policia greke, në zbatim të urdhër-arresteve të lëshuara nga autoritetet hetuese. Të arrestuarit janë një 21-vjeçar greko-amerikan, i dyshuar si figura kryesore e grupit, dhe një 18-vjeçar grek, bashkëpunëtor i tij.
21-vjeçari ishte arrestuar më herët në prill, pas një njoftimi nga SHBA për ekstradim, pasi akuzohej për të njëjtat vepra. Por Këshilli i Apelit i Selanikut e refuzoi ekstradimin, duke pranuar se ai ka shtetësi greke dhe se veprat penale janë kryer në territorin grek.
Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Selanikut çuan në ngritjen e akuzave të rënda ndaj dy të rinjve për: Anëtarësim në organizatë kriminale; Dëmtim të qëllimshëm trupor ndaj të miturve me probleme mendore; Shpërndarje të pornografisë me fëmijë.
Sipas informacioneve hetimore, organizata kriminale operonte përmes platformave online, ku anëtarët i afroheshin viktimave të mitura, veçanërisht fëmijëve të moshës 8 deri në 17 vjeç që vuanin nga probleme mendore, ishin pjesëtarë të komunitetit LGBTQI+, apo ishin të rinj me ngjyrë.
Përdoruesit ndanin video me akte dhune, vetëlëndimi, akte seksuale dhe materiale të tjera të rënda, të cilat më pas shpërndaheshin nga organizata.
Sipas dokumenteve nga autoritetet amerikane, grupi në fjalë njihej si “Organizata 764”, e cilësuar si një strukturë ekstremiste, e dhunshme dhe nihiliste, me një profil të rrezikshëm kriminal.
Gjatë dëshmisë së tij para autoriteteve greke, 21-vjeçari mohoi çdo përfshirje. Aktualisht, të dy të rinjtë pritet të paraqiten para gjyqtarit të 6-të hetues në Selanik, ku do të japin shpjegime për akuzat e ngritura.
Top Channel