Debate në Konferencën e Kryetarëve/ “Gjuha e përdorur dje, e dhunshme, e turpshme”, Këlliçi-Peleshit: Ne nuk kërkojmë trazirë, por ju po na impononi…

17/10/2025 12:03

Është mbledhur paraditen e kësaj të premteje Konferenca e Kryetarëve, për të shqyrtuar tre kërkesat e grupit parlamentar të PD, në lidhje me ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare si dhe kërkesën për mocion me debat.

Burime nga Konferenca e Kryetarëve bëjnë me dije se Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar ndaj ndërhyrjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, duke e cilësuar gjuhën e përdorur dje në sallë “të dhunshme dhe të turpshme, përtej çdo caku të pranueshëm, edhe në kontekstin e opozitarizmit”.

Peleshi ka theksuar se “ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës letrare”, duke iu referuar mënyrës së artikulimit të Gjekmarkajt në seancën plenare.

Ai ka kujtuar se standardet e parlamentarizmit europian duhet të jenë udhërrëfyesi i sjelljes politike, duke shtuar se në parlamentet e BE-së ka debat të fortë, por jo fjalor që degradon figurën e institucionit dhe të kolegëve.
Sipas tij, Parlamenti shqiptar është ndër më liberalët në BE përsa i përket hapësirave dhe lirive të deputetëve, por kjo liri “shoqërohet me përgjegjësi themelore, sepse me sjelljen tonë modelojmë shoqërinë”.

Peleshi ka theksuar se gjatë gjithë karrierës së tij politike “mund të akuzohet vetëm për durimin e tepruar”, duke nënvizuar se “nuk është marrë dhe nuk do të merret kurrë me sulme personale ndaj askujt”.

Në vijim, ai është shprehur se “e vlerëson elokuencën politike të Gjekmarkajt”, por ka nënvizuar se ndërhyrja e tij “është thellësisht e ndikuar nga kalkulime politike”.

“Nëse ju vazhdoni të mbroni atë që ndodhi dje, në fakt po nxisni një klimë përplasjesh dhe mosmarrëveshjesh që nuk i shërben askujt as Kuvendit, as qytetarëve, as vetë opozitës”, është shprehur ndër të tjera Peleshi.

Ndërkohë demokrati Belind Këlliçi i është drejtuar mazhorancës duke i thënë se po ngushtojnë hapësirat e opozitës në Kuvend.

“Kjo është anti-kushtetuese dhe e pa tolerueshme. Opozita nuk kërkon trazirë dhe nuk është për jo normalitet, po na e impononi ju reagimin e fortë. E impononi ju me shkeljen e kushtetutës”, ka deklarua ai.

“Ju donit dje të ndryshonit traditën e pyetjeve për institucionet e pavarura për shkak se keni hallin kur të raportojnë institucionet e drejtësisë. Keni frikë nga pyetjet e opozitës për ato institucione dhe për drejtuesit e drejtësisë. Sa i përket rregullores dhe respektit të hapësirës së opozitës mjafton të ju them se në 3 javë ke përjashtuar 2 herë kreun e grupit të PD me porosi të Ballës”, tha ai.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta