Analiza nga CNN: A po e josh Putini Trumpin drejt Moskës? Çfarë fshihet pas telefonatës së gjatë mes dy presidentëve

17/10/2025 11:17

Një telefonatë mbi dy orë mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump ka ngritur pikëpyetje serioze mbi qëllimet e Moskës dhe efektin që mund të ketë te politika e jashtme e Uashingtonit.

CNN analizon se kjo ishte telefonata e tetë në vetëm tetë muaj mes dy liderëve, dhe vjen në një moment kritik: pak para takimit të Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë dhe mes diskutimeve të nxehta mbi furnizimin e Kievit me raketa amerikane Tomahawk, që kanë kapacitet për të goditur thellë brenda territorit rus.

Sipas Kremlinit, telefonata ishte “pozitive dhe produktive”, por në thelb ajo përbënte një përpjekje të qartë për të frenuar mbështetjen ushtarake amerikane për Ukrainën, e cila potencialisht mund të ndryshojë rrjedhën e luftës.

Putin, në deklaratën e tij, e minimizoi ndikimin që raketat Tomahawk mund të kenë në terren, por paralajmëroi se vendimi për t’ia dhënë ato Ukrainës do të dëmtonte seriozisht marrëdhëniet SHBA-Rusi,  një mesazh i qartë për një president si Trump, që vlerëson marrëdhënien personale me Putinin.

Sipas një ndihmësi të Kremlinit, Putin e përshëndeti gjithashtu Trumpin si një “paqebërës”, duke lavdëruar rolin e tij në ndërmjetësimin e armëpushimit në Gaza. Kjo retorikë pritet të përdoret për ta tërhequr Trumpin drejt një samiti të ri presidencial në Budapest, ku do të diskutohej lufta në Ukrainë.

CNN shkruan se asgjë në këtë bisedë nuk sugjeron ndryshim në qëndrimin rus: Moska vazhdon të kërkojë pushtimin e territoreve të reja dhe kushte të ashpra pas lufte për Ukrainën, kërkesa që Kievi i ka refuzuar kategorikisht.

Por Kremlini duket se nuk po kërkon kompromis, por një fitore politike për Trumpin, një marrëveshje që ai mund ta paraqesë si sukses personal, pa bërë lëshime reale.

Sipas burimeve në Uashington, presioni mbi Trump për të mos dërguar raketat Tomahawk është pikërisht ajo që shtyu Putinin të rifillojë dialogun. Por në Moskë llogaritja është e thjeshtë: vetëm ideja e një “marrëveshjeje të madhe” mund të jetë e mjaftueshme për ta zbutur Trumpin, i cili kërkon një fitore ndërkombëtare për mandatin e tij të dytë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta