Vetëdorëzimi i autorit të dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian në Tepelenë, reagon policia

16/10/2025 13:36

Vetëdorëzohet shtetasi Kamber Sulçaj, autor i dyshuar i vrasjes për motive të dobëta, të shtetasit italian, Edoardo Sarchi, trupi i pajetë i të cilit u gjet në vendin e quajtur “Qafa e Dilanit”, pas mesnatës së datës 26.09.2025.

Policia bën me dije se Kamber Sulçaj, gjithashtu dorëzoi armën e gjahut (me vjaska), me të cilën dyshohet se kreu krimin, si dhe lejen që kishte për posedimin e saj.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Gjirokastër kryen veprimet procedurale për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, në mungesë, për shtetasin K. S., 48 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i akuzuar për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. S. ka qëlluar me armë gjahu me vjaska, në drejtim të shtetasit E. S., shtetasve që shoqëronin këtë të fundit dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën shtetasi E. S..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të metejshme.

Top Channel