Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Presidentit Begaj: Mandati i Sonila Bejtajt mbaron brenda vitit 2025

16/10/2025 18:20

Gjykata Kushtetuese ka shpallur zyrtarisht vakancën për mandatin e anëtares Sonila Bejtja, i cili përfundon në vitin 2025.

Kërkesa për shpalljen e kësaj vakance ishte depozituar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, që në muajin janar, por shqyrtimi i saj u bë ditën e sotme nga Kushtetuesja.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka theksuar rëndësinë e zbatimit të parimit të ripërtëritjes së përbërjes së saj çdo tre vjet me një të tretën e anëtarëve, siç parashikohet në Kushtetutë dhe në ligjin për funksionimin e saj.

Ky vendim i hap rrugë nisjes së procedurave për përzgjedhjen e një anëtari të ri, proces i cili do të duhet të nisë nga Presidenca në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse.

Sipas dispozitave ligjore në fuqi, Gjykata Kushtetuese duhet të rinovohet çdo tre vite me një të tretën e trupës gjyqësore. Këtë vit është parashikuar raundi i parë i këtij ripërtëritjeje. Përveç Bejtjas, në listën e anëtarëve që pritet të zëvendësohen janë edhe Holta Zaçaj dhe Elsa Toska.

Njoftimi i plotë

Gjykata Kushtetuese në datën 16.10.2025 mori në shqyrtim çështjen nr. 1 (P) 2025 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Presidenti i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”.
Gjykata vlerësoi, fillimisht, se kërkesa e paraqitur nga Presidenti i Republikës, ndonëse në objektin e saj përmban kërkimin për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, referuar shkaqeve në përmbajtje të kësaj kërkese, në thelb, parashtrohet kërkimi që Gjykata të zgjidhë një mosmarrëveshje kompetencash në lidhje me mbarimin e mandatit të gjyqtarit kushtetues dhe ushtrimin nga Presidenti, në cilësinë e organit të emërtesës, të kompetencës për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe interpretimin përfundimtar të normave kushtetuese që përcaktojnë kohëzgjatjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues.
Gjykata vlerësoi se paqartësia e krijuar lidhur me kohëzgjatjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues ka në dukje karakteristikat e një mosmarrëveshjeje kompetencash midis organeve të përfshira në procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues. Gjykata çmon se për mandatet e gjyqtarëve kushtetues janë të zbatueshme dy parime kushtetuese, ai i përtëritjes së pjesshme të Gjykatës çdo tre vjet me një të tretën e saj dhe ai i kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, çka bën të nevojshëm interpretimin përfundimtar të Kushtetutës lidhur me ndërveprimin e këtyre parimeve.

Gjykata mban në konsideratë se përmbajta e çdo dispozite të Kushtetutës duhet të interpretohet në mënyrë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese, pasi çdo dispozitë kushtetuese ka një lidhje të caktuar me dispozitat e tjera dhe së bashku ato formojnë një tërësi normash të harmonizuara.

Gjykata mori në analizë, ndër të tjera, përmbajtjen e nenit 127, pika 1, shkronja “b”, të Kushtetutës që bën fjalë për mandatin kushtetues 9-vjeçar, nenit 125, pika 3, që parashikon qëndrimin në detyrë të gjyqtarit kushtetues, nenit 125, pika 6, që parashikon përtëritjen e pjesshme periodike të Gjykatës Kushtetuese, si dhe nenit 179, pika 3, të Kushtetutës, që ka parashikuar rregullimet kalimtare për kohëzgjatjen e mandateve kushtetuese dhe përtëritjen e rregullt të Gjykatës.

Në interpretimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës Gjykata vlerësoi se përmes kësaj dispozite kushtetuese është synuar nga kushtetutëbërësi të rregullohet regjimi tranzitor i mandateve të gjyqtarëve kushtetues të emëruar/zgjedhur menjëherë pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016. Gjykata vlerësoi se qëllimi i dispozitës kushtetuese është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së saj, parim i përcaktuar shprehimisht në nenin 125, pika 6, të Kushtetutës.

Për sa më sipër, në vlerësimin e Gjykatës, parimi i përtëritjes së pjesshme për këta gjyqtarë mbizotëron në raport me parimin e kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, duke vënë theksin se kohëzgjatja e këtyre mandateve si më sipër ka qenë e kufizuar në kohë që në krye të herës, pasi vetëm në këtë mënyrë dhe vetëm përmes këtij interpretimi do të garantohet qëllimi kryesor i dispozitës kalimtare, nenit 179, pika 3, të Kushtetutës. Të njëjtit qëllim i shërben edhe parashikimi i shprehur në po këtë dispozitë për përcaktimin e dy mandateve më të shkurtra se 9 vjet.

Gjykata vlerëson të theksojë se në këtë dispozitë, në funksion të garantimit të përtëritjes së rregullt, është bërë parashikimi edhe për gjyqtarët e tjerë, kohëzgjatja e mandateve të të cilëve bëhet sipas ligjit, i cili ishte pjesë e së njëjtës paketë legjislative me ndryshimet kushtetuese. Ndonëse në pikën 4 të nenit 86 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” nuk parashikohet shprehimisht koha e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues, në përmbajtje të kësaj dispozite është përcaktuar skema kohore e përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, skemë sipas të cilës përtëritja e parë me një të tretën bëhet në vitin 2025, përtëritja e dytë me një të tretën bëhet në vitin 2028 dhe përtëritja e tretë me një të tretën bëhet në vitin 2031.

Në përfundim, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi:
Njëzëri,
1. Kompetenca për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit kushtetues i përket Gjykatës Kushtetuese dhe vetëm pas kësaj organi i emërtesës ushtron kompetencën e tij të emërimit/zgjedhjes të gjyqtarit kushtetues.

2. Shqyrtimin veçmas të kërkimit të Presidentit të Republikës për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Me shumicë votash,
3. Interpretimin e nenit 179, pika 3, të Kushtetutës si vijon:

Qëllimi i dispozitës kushtetuese është garantimi i përtëritjes së rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, parim i përcaktuar në nenin 125, pika 6, të Kushtetutës. Për këtë arsye, neni 179, pika 3, i Kushtetutës ka përcaktuar shkurtimin me më pak se 9 vjet të mandateve të dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, njëri deri në vitin 2025 dhe tjetri deri në vitin 2028. Për sa i përket “kohëzgjatjes së mandatit, sipas ligjit” të gjyqtarëve të tjerë, kjo dispozitë kushtetuese i referohet nenit 86, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, i cili ka përcaktuar skemën kohore të përtëritjes së përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, duke parashikuar përtëritjen e parë me një të tretën në vitin 2025, përtëritjen e dytë me një të tretën në vitin 2028 dhe përtëritjen e tretë me një të tretën në vitin 2031.

Fillimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij regjimi tranzitor përkon me datën e deklaruar nga Gjykata Kushtetuese të mbarimit të mandatit të gjyqtarit që ai zëvendëson.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel