
Presidenti i Polonisë ka firmosur një reformë të re tatimore që synon të lehtësojë barrën financiare për familjet dhe të nxisë rritjen ekonomike. Ligji i ri parashikon taksë zero mbi të ardhurat personale për të gjithë prindërit që rrisin të paktën dy fëmijë, duke përfshirë edhe kujdestarët ligjorë apo prindërit kujdestarë.
Lehtësimi fiskal do të zbatohet për të ardhurat vjetore deri në 140 mijë zloty (rreth 32,973 euro) dhe pritet të sjellë një rritje mesatare prej 1,000 zloty (235 euro) në buxhetin mujor të një familjeje.
Projektligji u prezantua fillimisht në gusht nga Presidenti Karol Nawrocki, i cili e kishte bërë këtë masë një nga premtimet kryesore të fushatës së tij, të përfshira në programin “Kontrata me Polakët”. Ai nënshkroi simbolikisht ligjin më 8 gusht, përpara se ta dorëzonte në Sejm për miratim.
Reforma hyn në fuqi menjëherë, por efekti në xhepat e qytetarëve do të shihet në deklaratat tatimore të vitit 2026, që do të dorëzohen në 2027.
Ky vendim është pjesë e një pakete më të gjerë reformash të quajtur “Armatimi Tatimor”, e cila përfshin gjithashtu uljen e TVSH-së nga 23% në 22%, heqjen e taksës mbi fitimet kapitale dhe indeksimin automatik të pensioneve.
Qeveria polake synon me këtë paketë të rrisë konsumin, të përmirësojë jetesën e familjeve dhe të nxisë aktivitetin profesional në një treg pune që po përballet me sfida demografike.
Top Channel