
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar ditën e nesërme në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Në postim, Vetëvendosje kujton se “ata që sot dalin kundër Gjykatës Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj”, ndërsa thekson se qeveria shqiptare ka përgjegjësi ta ngrejë çështjen në organizatat ndërkombëtare në OKB, OSBE, NATO dhe BE, e jo në sheshin “Skënderbej”.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndron në krah të të gjithë qytetarëve që protestojnë e kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Tiranë. Qëndrimi ynë për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar.
Kujtojmë se Gjykata Speciale nuk erdhi vetvetiu, por nisi që në vitin 2008 nga një rezolutë e propozuar në Këshillin e Evropës nga kryesuesi i deputetëve të Federatës Ruse në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, por që u miratua si rezolutë me propozim të senatorit Dick Marty në vitin 2011.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Në anën tjetër, pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla. Përkundrazi, për krime të luftës duhet të gjykohet Serbia, ajo është shkaktarja e gjenocidit dhe krimeve masive e sistematike ndaj popullit të Kosovës.
Mirëpo, për ecjen tonë të sinqertë përpara si shtet e si komb duhet me patjetër të reflektojmë mbi qëndrimet tona karshi kësaj Gjykate në kohën kur u themelua. Reflektimi nuk është gabim, por në këtë drejtim shumë nga ata që sot dalin në kundërshtim me Gjykatën Speciale, dje ishin lobuesit më të mëdhenj për themelimin e saj. Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili madje kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët këtu që të votonin pro themelimit të kësaj Gjykate.
Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën dhe e vërteta nuk ka si të jetë ndryshe veçse në anën e luftës dhe përpjekjes së paepur të popullit të Kosovës për çlirim e pavarësi sikur popujt e tjerë.
Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin “Skënderbe” në Tiranë.
Po ashtu shtetet mike të Kosovës që tashmë gëzojnë anëtarësi në këto organizata, duhet të bëjnë shumë më tepër për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë dhe për të çuar përpara drejtësinë. Njëjtë siç duhet bërë më shumë në këto forume për njohjen e gjenocidit dhe gjykimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës që Serbia i ka kryer në Kosovë e në mbarë Ballkanin”-thuhet në reagim.
Pas këtij reagimi, u përgjigj edhe kryeministri Rama me një postim në rrjetin X. Rama e quajti postimin e Vetëvendosjes “çarçaf”, duke thënë se Gjykata Speciale nuk u ngrit për të marrë peng Hashim Thaçin, por për hetimet mbi trafikun e organeve. Ai akuzoi Vetëvendosjen se “do ta donte Thaçin përjetësisht në Hagë” dhe theksoi se s’mund të ketë drejtësi pa reflektim mbi të kaluarën.
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama.
“Kryeministri Rama mund të përpiqet të nxirret me eskivazhe të padenja e përshtypje personale, ose mundet edhe të adresojë dhe përgjigjet shkurt e saktë në pikat kryesore që përmban deklarata e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Më konkretisht ai mund të tregojë: 1. Ka ardhur apo jo me helikopter në Kosovë për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale? Pra, a e ka mbështetur dhe shtyer ai themelimin e Gjykatës Speciale? 2. Cili ka qenë dhe vazhdon të jetë qëndrimi i LVV rreth Gjykatës Speciale? E ka votuar dhe mbështetur, apo e ka refuzuar dhe është përndjekur duke protestuar kundër themelimit të saj? 3. Në cilat raste dhe në cilat data, në cilat organizata ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota, apo pjesëmarrëse në takimet zyrtare, Rama ka ngritur shqetësimet e tij rreth padrejtësisë që po i bëhet Kosovës në Hagë? Kur i ka ngritë këto shqetësime në OKB, kur në Këshillin e Evropës, kur në OSBE dhe kur në NATO? Të tjerat janë vetëm për konsum personal e madje as për konsum të brendshëm politik”.
Top Channel