
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka mirëpritur lajmin për takimin e paralajmëruar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, që pritet të mbahet në Budapest.
Përmes një postimi në platformën X, Orbán e cilësoi njoftimin si një zhvillim pozitiv për paqen globale.
“Takimi i planifikuar midis presidentëve amerikanë dhe rusë është një lajm i shkëlqyer për popujt paqedashës të botës,” shkroi ai.
Duke shtuar një notë mikpritjeje, kryeministri hungarez theksoi se vendi i tij është i gatshëm të mirëpresë këtë takim të nivelit të lartë.
“Jemi gati!”, përfundon Orbán në postimin e tij.
Takimi i shumëpritur mes Trump dhe Putin vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë po përshkallëzohet, dhe përpjekjet për ndërmjetësim po shtohen. Trump, në një deklaratë të mëparshme, ka theksuar se takimi do të zhvillohet në Budapest “për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj lufte të palavdishme”.
Hungaria, nën drejtimin e Orbán, ka mbajtur qëndrime të afërta me Moskën dhe është pozicionuar si një ndër vendet e pakta në BE që ruan marrëdhënie të afërta me Kremlinin.
Top Channel