
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në Nairobi, Kenia, pasi policia hapi zjarr dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat e mëdha që ishin mbledhur për t’i bërë homazhe ish-kryeministrit kenian Raila Odinga.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Vocal Africa, trupat e tre viktimave janë dërguar në morgun kryesor të qytetit, ndërsa mediat lokale raportojnë për një viktimë të katërt. Ende nuk është konfirmuar nëse policia përdori municion të vërtetë apo plumba gome, megjithatë Vocal Africa deklaroi se të ndjerët kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.
Incidenti ndodhi në Qendrën Ndërkombëtare Sportive Moi në lagjen Kasarani të Nairobit, ku mijëra qytetarë ishin mbledhur për të parë arkivolin me trupin e Odingës, i cili vdiq të mërkurën gjatë një vizite në Indi. Për shkak të turmave të mëdha dhe tensioneve në rritje, policia ndërhyri duke përdorur forcë, përfshirë gaz lotsjellës dhe dhunë fizike.
Një gazetar i BBC-së raportoi se pa burra me rroba civile që godisnin pjesëmarrësit, ndërsa turma njerëzish u përpoq të largohej me shpejtësi nga stadiumi.
Funerali shtetëror i Odingës, 80 vjeç, pritet të mbahet të premten me nderime të plota ushtarake. Trupi i tij do të transportohet të shtunën në qytetin Kisumu në perëndim të vendit, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet të dielën në fermën e tij familjare në Bondo.
Zëvendëspresidenti Kithure Kindiki, i cili drejton komitetin e funeralit, mbajti një konferencë për shtyp pas incidentit, por nuk përmendi kaosin apo vdekjet. Ndërkohë, presidenti William Ruto dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë në homazhe pas qetësimit të situatës.
Raila Odinga ka qenë një nga figurat më dominuese në politikën keniane, duke shërbyer si udhëheqës i opozitës për dekada. Ai kandidoi pesë herë për president, duke humbur gjithmonë në rrethana të kontestuara, të cilat shpesh i konsideronte si rezultat i manipulimeve zgjedhore.
Për nder të tij është shpallur një periudhë zie shtatëditore, ndërsa përkrahësit e tij vazhdojnë të mbajnë homazhe duke bartur degë palme, simbol zije në kulturën Luo, të cilës i përkiste Odinga.
Top Channel