Gjermania nis Eurofigher në Poloni, Putin “tallet”: Europa nuk e përballon dot luftën!

16/10/2025 12:52

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, njoftoi se vendi i tij do të rrisë kontributin në mbikëqyrjen e hapësirës ajrore mbi krahun lindor të NATO-s.

Ushtria gjermane do të jetë e pranishme në Poloni me “disa Eurofighter shtesë” përtej angazhimit të saj aktual, tha Pistorius gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes së aleancës në Bruksel.

“Ne do të kontribuojmë në mbrojtjen e krahut lindor me fluturime patrullimi. Nga sot e tutje, Gjermania do të jetë më aktive, më e pranishme dhe më e dukshme në këtë rajon.”

Një zëdhënës i ministrisë deklaroi se, nga dhjetori deri në mars, dy Eurofighter do të stacionohen në Malbork, Poloni, në jug të Gdanskut. Pas hyrjes së 19 dronëve rusë në hapësirën ajrore polake në shtator, Gjermania kishte rritur tashmë numrin e avionëve Eurofighter të caktuar për mbikëqyrje ajrore nga dy në katër, si pjesë e iniciativës “Eastern Sentry” të NATO-s në bazën ajrore Rostock-Laage.

Gjatë takimit të NATO-s, Pistorius njoftoi gjithashtu se qeveria gjermane do të shpenzonte dhjetë miliardë euro për blerjen e dronëve gjatë viteve të ardhshme. Kjo përfshin të gjitha llojet e dronëve, përfshirë dronët sulmues. Në Moskë megjithatë, të gjitha këto lëvizje po i shohin me një lloj qesëndie.

Këtë tregoi deklarata e një këshilltarit të Kremlinit, Dmitrij Suslov, i cili tha për Corriere della Sera se episode e dronëve dëshmuan se Europa nuk është e përgatitur për një përballje frontale ushtarake me Rusinë. Europianët rrijnë e diskutojnë nëse janë apo jo në luftë me Moskën, dhe e vetmja gjë e sigurtë është se nuk janë gati për një luftë të vërtetë, u shpreh ai.

Top Channel