
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal, nr.62 të vitit 2025 ndaj të pandehurve Besmir Cani dhe Ahmet Mashollari.
Besmir Cani, me detyrë polic bashkiak, Bashkia Tiranë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal;
Ahmet Mashollari, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 244/2 i Kodit Penal.
Pas përfundimit të hetimit paraprak ka rezultuar e provuar se i pandehuri, Besmir Cani, në ushtrim të detyrës së punonjësit të policisë bashkiake, ka marrë një përfitim të parregullt në shumën 2.400.000 lekë, për moskryerjen e veprimeve për një ndërtim pa leje. Këto veprime përfshijnë; mosraportimin, mosvendosjen e gjobës përkatëse si edhe shmangien nga prishja e objektit të ndërtuar pa leje nga i pandehuri, Ahmet Mashollari, i cili është provuar t’i ketë dhënë shumën e parave, punonjësit të policisë bashkiake.
Top Channel