
Avokati i Elvis Shakmbit, Kujtim Ibraj, në një lidhje të drejtpërdrejte për “Shqipëria Live” zbardhi detaje nga dëshmia e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në Gjykatën e Apelit.
Ai zbuloi se mes Shkambit dhe gjyqtarit të ndjerë ka pasur debat në seancën e mëparshme (para se të ndodhte krimi).
Më tej ai shtoi se çdo gjë është kryer në kushte të vështira emocionale për shkak të kalvarit të gjyqeve, borxheve dhe vështirësive ekonomike.
Në lidhje me akuzat ndaj Elvis Shkambit, Ibraj tha se klienti i tij akuzohet për vrasje të funksionarëve të lartë dhe për armëmbajtje pa leje.
“Elvis Shkambi ka sqaruar gjithë dinamikën edhe në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë. Që nga momenti që kanë ardhur në Tiranë, kanë ndaluar në disa vende, kanë shkuar në një rast vdekjeje, pastaj kanë dorëzuar një kërkesë në një gjykatë.
Arma nuk ishte me leje. Për xhaxhain, ka thënë që nuk kishte dijeni që mund të bënte një veprim të tillë apo se kishte armë me vete. Ai ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe gjithçka ka ndodhur në sekonda.
Gjyqtari edhe në seancën e mëparshme ka bërë një debat me Gjon dhe Elvis Shkambin. I ndjeri Kalaja u ka tërhequr vëmendjen për qetësinë në sallë. Ka qenë një polemikë e lehtë.
Elvis Shkambi më ka deklaruar se çdo gjë ka qenë emocionale, në kushte të tronditjes së lartë psikike, borxheve. Kishte arritur një pikë vlimi ku familja e tyre kishte arritur në kushte të vështira ekonomike.
31 fishekët që u gjetën nuk i përkasin Elvis Shkambit, ato janë gjetur në makinën e xhaxhait. Pasi kreu vrasjen, Elvisi i tha xhaxhait: “Ti mund të ikësh, nuk ke punë, mund të marrësh makinën dhe të shikosh punën tënde.” Në atë moment Gjon Shkambi nuk ka lëvizur, ka pritur policinë derisa të arrestohej nipi i tij. Nuk ka pasur një bashkëpunim. Ishin fishekë manovër, jo luftarakë.
Elvis Shkambi ka shfaqur pendesë dhe i ka kërkuar falje familjes së Kalasë. Për sa i përket akuzave, ai akuzohet për vrasjen e funksionarëve të lartë publikë dhe armëmbajtje pa leje. Gjakrat janë ende të nxehta, por ata kanë shprehur pendesë, duke krijuar një ambient sa më të qetë në marrëdhëniet ndërfamiljare.”, u shpreh avokati.
Top Channel