EMRI/ Tentativa e grabitjes së argjendarisë në mes të Shkodrës, arrestohet pas një muaji i riu që terrorizoi me armë pronarin e biznesit

15/10/2025 10:26

Është vënë në pranga pas më shumë se një muaji 29-vjeçari Fatjon Bruçi (alias Fatjon Bruci), që u fut në një argjendari në Shkodër me skafandër në kokë, dhe tentoi që ta grabiste duke i drejtuar armën pronarit.

Policia bën me dije se autori i dyshuar është lokalizuar dhe arrestuar në Tiranë, ndërsa konsiderohet me rrezikshmëri shoqërore të lartë dhe i implikuar në një sërë veprimtarish kriminale.

Në banesën që kishte marrë me qira në Tiranë dhe aty ku fshihej, i është gjetur një armë zjarri pistoletë, 2 maska silikoni, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, si dhe 550 dollarë (kartëmonedha false).

Po ashtu në pranga për përkrahje të 29-vjeçarit kanë rënë dhe 2 shtetas që lëviznin me të, në automjet, në momentin e kapjes, Xhonatan Deliu dhe Enri Elezi.

Njoftimi i plotë i policisë:

Në kuadër të operacionit “Identikiti”, shërbimet e DFPO-së, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, dhe të Komisariatit të Policisë nr 4, Tiranë, bazuar në informacionet e marra, kapën në lagjen “5 Maji”, Tiranë, duke lëvizur me një automjet tip “Audi”, dhe vunë në pranga shtetasit F. B. alias F. B., 29 vjeç, Xh. D., 21 vjeç dhe E. E., 19 vjeç.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi F. B. alias F. B. u vu në pranga sepse Gjykata e Shkodrës më datë 30.09.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me armë”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas është autor i tentativës për të vjedhur në një argjendari, në lagjen “Vasil Shanto”, ku hyri më datë 29.08.2025, i armatosur dhe i maskuar me skafandër motomjeti.

Gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit, atij iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën që kishte marrë me qira, në Tiranë, u gjetën 1 armë zjarri pistoletë, 2 maska, municion luftarak, 3 pajisje për grirjen e lëndës narkotike, 550 dollarë (kartëmonedha false), shumë lekësh dhe aksesorë, të cilat u sekuestruan së bashku me 2 automjete dhe me 1 celular.

Ndërkaq, në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. D. dhe E. E., për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi ishin pasagjerë në automjetin e të kërkuarit, në momentin e ndalimit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Top Channel