
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj u takua me ambasadoren zvicerane në Tiranë, Ruth Huber.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai shprehu se ndau me ambasadoren sipas tij problematikat në Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithashtu u ndal edhe te zgjedhjet e 11 majit.
“Takova Ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, Shkëlqesinë e saj Ruth Huber, në cilësinë e Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ku shpreha mirënjohjen time për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë ndër vite, veçanërisht në forcimin e institucioneve demokratike dhe parlamentarizmit. Vlerësova bashkëpunimin mes dy vendeve dhe theksova rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në rrugën tonë, në mënyrë që Shqipëria të rikthehet në rrugën e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Ndava me Ambasadoren shqetësimin për situatën politike në vend, sidomos në lidhje me procesin zgjedhor të 11 majit, i cili u konsiderua si një farsë elektorale. Vura në dukje pengmarrjen e lidershipit opozitar nga drejtësia gjatë një viti elektoral, një veprim që kulmoi me arrestimin e paligjshëm të liderit historik të opozitës, z. Sali Berisha, si dhe me arrestimin e deputetëve të tjerë si z. Ervin Salianji. Këto ishin dhe janë goditje të rënda për balancën demokratike në vend, qartësisht si kontribut në modifikimin e rezultatit elektoral!
Sot jemi përballë një tjetër situate të paprecedentë, ku opozitës i mohohet e drejta e fjalës, interpelancave dhe debatit në Kuvend, duke shndërruar parlamentin në një institucion njëngjyrësh, që funksionon vetëm sipas vullnetit të mazhorancës. Prej mbi një muaji parlamenti është marrë peng!
Kërkuam që çdo ambasador i vendeve perëndimore në Shqipëri të jetë zëdhënës i të vërtetës dhe i dramave që po kalon demokracia shqiptare, duke mos heshtur përballë deformimeve serioze të sistemit politik dhe parlamentar në vend”, shkruan Gjekmarkaj.
Top Channel