
Nigel Farage është në rrugën e krijimit të shumicës më të madhe që ka parë ndonjëherë Dhoma e Komunave në historinë moderne të Britanisë, sipas një sondazhi të fundit, të përshkruar si një mega-anketim nga Daily Mail që shkon deri aty sa të parashikojë deputetët e Partisë Konservatore të reduktuar vetëm në shtatë.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër, shkruan e përditshmja e njohur britanike, Reform UK do të siguronte 445 vende dhe Partia Laburiste do të numëronte 73 ligjvënës.
Megjithatë, rruga e Farage drejt fitores mund të mos jetë në realitet kaq e lehtë. Sipas të njëjtit artikull, më shumë se një e treta e votuesve të Partisë Laburiste thonë se vetëm për ta ndaluar forcën politike të Farage do të ishin të gatshëm të mbështesnin konservatorët.
Sondazhi ku morën pjesë rreth 7.500 britanikë, u zhvillua nga 10 deri më 18 shtator, përpara sezonit të konferencave të partisë. Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar janë caktuar të mbahen në 15 gusht të 2029-ës. Pavarësisht se ato janë ende larg, ekspertët i shohin rezultatet e sondazhit të fundit si një kambanë zgjimi.
Ata thonë se elektorati kërkon zgjidhje, më së pari për ekonominë, e më tej edhe me çështjet që kanë të bëjnë me emigracionin, ndërsa argumentojnë se bazat tradicionale të besnikëve të partive, janë nën një trysni të paprecedent.
Top Channel