Siria dhe Rusia drejt një epoke të re bashkëpunimi, presidenti Al-Sharaa do të takohet me Putin në Moskë këtë javë

15/10/2025 17:37

Presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa do të vizitojë Rusinë këtë të mërkurë për t’u takuar me Presidentin Vladimir Putin, njofton agjencia shtetërore e lajmeve të Sirisë, si pjesë e një nisme më të gjerë diplomatike për të forcuar legjitimitetin ndërkombëtar të qeverisë kalimtare të Damaskut.

Kjo do të jetë vizita e parë zyrtare e Al-Sharaa-s në Moskë, një aleat i hershëm i ish-regjimit të Bashar al-Assad, të cilin forcat e Al-Sharaa-s e rrëzuan në dhjetor. Gjatë takimit, Al-Sharaa dhe Putin do të diskutojnë “zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare” dhe “mënyrat për të forcuar bashkëpunimin”, raportoi të martën agjencia siriane SANA, duke cituar drejtorinë presidenciale të medias.

Agjencia Reuters citoi një zyrtar sirian që tha se bisedimet do të përfshijnë praninë e vazhdueshme të bazës detare ruse në Tartous dhe bazës ajrore në Khmeimim. Burimi shtoi se Al-Sharaa planifikon të kërkojë zyrtarisht dorëzimin e Bashar al-Assadit, i cili jeton në mërgim me familjen në Moskë që nga largimi nga Siria në dhjetor.

Al-Sharaa, i cili dikur drejtonte degën siriane të al-Kaedës nën emrin Abu Mohammed al-Julani, komandonte forcat rebele që pushtuan Damaskun dhe instaluan një qeveri të re në fund të vitit të kaluar, duke i dhënë fund sundimit disa dekadash të al-Assadit.

Që atëherë, Rusia është përpjekur të ndërtojë lidhje me udhëheqjen e re të Sirisë, duke ofruar mbështetje diplomatike për Damaskut përballë sulmeve izraelite në territorin sirian.

Media shtetërore siriane, SANA raportoi se Putin telefonoi Al-Sharaan në shkurt, duke shprehur mbështetje për “unitetin, sovranitetin dhe stabilitetin” e Sirisë. Në korrik, Putini dhe ministri i tij i Jashtëm, Sergey Lavrov, u takuan me Ministrin e Jashtëm sirian Asaad al-Shibani në Moskë.

Vizita e presidentit sirian në Moskë vjen pas udhëtimit të tij në shtator në Nju Jork, ku iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA), duke deklaruar se Siria po “rimerr vendin e saj të merituar midis kombeve të botës” dhe duke kërkuar heqjen e sanksioneve.

“Siria po shkruan një kapitull të ri në historinë e saj, të titulluar paqe, stabilitet dhe prosperitet”, i tha ai Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Top Channel