
Revista Time e nxori në kopertinë, por fotoja që shoqëronte artikullin e acaroi presidentin amerikan Donald Trump.
Artikulli kishte të bënte me marrëveshjen e paqes që u arrit falë tij në Lindjen e Mesme. Për shkrimin në vetvete Trumpi nuk kishte ankesa; ajo që nuk i pëlqeu ishte pjesa tjetër.
“Time shkroi një histori relativisht të mirë për mua, por fotoja ilustruese mund të jetë më e keqja e të gjitha kohërave”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
“Dua të them, ata ‘zhdukën’ flokët e mi. Pastaj kishte dhe diçka që lundronte në majë të kokës sime që dukej si një lloj kurore, por jashtëzakonisht e vogël. Vërtet e çuditshme”, shtoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.
Ai vazhdoi ta përshkruante imazhin si “një fotografi super të keqe që nuk meriton të përmendet. Artikulli i Time, me titull “Triumfi i tij”, shoqërohej me një foto të presidentit amerikan të realizuar nga poshtë, ndërsa pjesën e sipërme të kokës së tij e ndriçonte një dritë verbuese e diellit.
Komentet e Trump erdhën disa orë pasi ai përfundoi vizitat në Tel Aviv, Jerusalem dhe Sharm el-Sheikh të hënën, ku ai mbikëqyri nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Gaza – një plan të cilin republikani e mbështeti personalisht dhe që i dha fund dy viteve konflikti pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili nxiti hakmarrjen e Izraelit me një luftë shkatërrimtare në enklavë.
Top Channel