
Pakistani dhe qeveria talebane e Afganistanit kanë rënë dakord për një armëpushim 48-orësh, pas disa ditësh përleshjesh të përgjakshme në kufi dhe raporteve për sulme ajrore pakistaneze në provincat Kabul dhe Kandahar.
Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e luftimeve dhe kanë raportuar dhjetëra viktima, por shifrat mbeten të paverifikuara. Zëdhënësi i talebanëve deklaroi se 12 civilë janë vrarë dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga zjarri pakistanez, ndërsa ushtria e Pakistanit pretendon se ka vrarë 15–20 luftëtarë talebanë në distriktin kufitar Spin Boldak.
Banorët lokalë përshkruan luftime të rënda me dronë dhe avionë luftarakë që fluturonin mbi zonë. Mjekët në spitalet e Spin Boldak raportuan shtatë viktima dhe dhjetëra të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë.
Përleshjet shkaktuan zhvendosjen e qindra familjeve, ndërsa të dyja qeveritë vazhdojnë një luftë propagandistike në rrjetet sociale, duke pretenduar secila se po i shkakton dëme më të mëdha palës tjetër.
Tensionet u përshkallëzuan pas shpërthimeve në Kabul dhe Kandahar javën e kaluar, për të cilat Kabuli fajësoi Islamabadin. Talebanët mohojnë se po strehojnë militantë pakistanezë që veprojnë kundër qeverisë së Pakistanit.
Ndërkohë, zyrtarë ndërkombëtarë, përfshirë raportuesin special të OKB-së për të drejtat e njeriut në Afganistan, Richard Bennett, kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe mbrojtje të civilëve. Edhe Kina, Rusia dhe presidenti amerikan Donald Trump kanë kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve dhe kanë ofruar ndihmë për ndërmjetësim.
Pavarësisht armëpushimit të shpallur, situata mbetet e brishtë në kufirin afgano-pakistanez, me frikë se dhuna mund të rifillojë në çdo moment.
Top Channel