
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka raportuar kërkesën e demokratëve për shkarkimin e presidentit Bajram Begaj.
Bardhi e konsideron shkelje të Kushtetutës dekretimin e presidentit për zgjedhjet në Tiranë.
”Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa është e argumentuar gjërësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh, të cilat dëshmojnë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurës që kemi inciuar, por po ashtu jemi të bindur se Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de iuro Kryetar i Shtetit dhe Përfaqësues i Unitetit të Popullit, funksione të cilat de facto i ka humbur prej shumë kohësh tashmë.
Pas një analize shteruese të provave, fakteve, Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese nga ekspertët ligjorë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Ligjit, të cilat përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra, në kuptim të nenit 90, pika 2, të Kushtetutës, që parashikon shprehimisht se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit”.
Bardhi deklaroi se Presidenti i vendit ka shkelur Kushtetutën po ashtu, pasi sipas tij paradite bën punën e Presidentit dhe pasdite rezulton se paguhet si mjek nga rrjeti i një spitali privat.
“Sipas Kushtetutës Presidentit i ndalohet me ligj që të ushtrojë çdo detyrë tjetër dhe veprimtari private, e dini ju që Presidenti jonë ndërkohë që është President, rezulton i punësuar dhe merr të ardhura nga një klinikë mjekësore. Ditën bën detyrën e Presidentit dhe pasdite paguhet nga rrjeti i klinikave private, siç deklaron vetë të ardhurat. Ky është niveli i Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, tha ai.
Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PD-së shkeljet e Begajt janë:
-Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë,
-Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues,
-Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore,
-Dekretimi antikushtetues i ministres virtuale “Diella”,
-Refuzimi për të ndaluar përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale,
-Ndërhyrja antikushtetuese nëpërmjet Kabinetit të tij në procesin zgjedhor,
-Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës.
Top Channel