Nga Aladin Stafa

Tirana këtë javë u bë epiqendra e një diskutimi global që zakonisht zhvillohet në kryeqytete me histori të gjatë ushtarake dhe digjitale. Samiti i NATO-s për mbrojtjen kibernetike e vendosi Shqipërinë në qendër të një cështje që për shumë shtete është fort jetik: siguria në hapësirën digjitale. Por ndërsa ekspertët dhe zyrtarët ndërkombëtarë debatonin për të papriturat që vijnë prej sulmeve kibernetike dhe aftësinë për t’i bërë ballë me qëndrueshmëri dhe konsistencë atyre apo dhe kontratat me partneritet publik‑privat, dy pyetje mbeten ende pa përgjigje: cili ishte rezultati final i samitit dhe çfarë do të thotë kjo realisht për Shqipërinë?

Temat e diskutuara në këtë samit, ndonëse të vërejtura jo me ndonjë vëmendje të vecantë prej qytetarëve, morën gjithsesi një rëndësi të lartë. Po përse?

Tanimë bota e sotme, në funksion dhe në bashkëpunim absolut me teknologjinë, thuajse të gjitha lëvizjet operative i kryen nëpërmjet saj. Dhe nëse teknologjia ka anët e saj pozitive dhe lehtësuese, aq mund të përbëjë ajo një rrezik të shtuar nëse del prej kontrollit ose edhe nëse nuk vendosen mure mbrojtës për parandalimin e mundshëm të ndonjë komande me qëllime negative që mund të vijnë prej saj.

Duke qenë se NATO është një organizëm, me fokusin e saj aleancën e përbashkët mes dhjetra vendeve, forcimi i mbrojtjes kibernetike kolektive mbetet synimi themelor i saj. Një sulm ndaj një vendi mund të ketë efektin domino brenda anëtarëve të kësaj aleance, andaj bashkëpunimi i ngushtë mes tyre është tejet i nevojshem. Ky bashkëpunim do të nënkuptonte ndarjen e informacionit në kohë reale, si dhe zhvillimin e protokolleve të përbashkëta.

Pika e dytë do të ishin projektet e investimeve strategjike dhe llogaridhënia. Por kjo mbetet gjithsesi dhe një nga pikat tona më të dobëta. Sepse investimet nuk janë vetëm teknike. Ato kanë një ndikim jo pak të zëshëm në buxhetin kombëtar, politikën dhe besueshmërinë e vetë aleatëve. Nëse do të duam të tërheqim sa më shumë të tilla, transparenca ndaj burokratëve europiane me teknikalitetet që ata na kërkojnë dhe llogaridhënia kundrejt tyre parashihet të jetë një rrugë plot sfida. Vetëm kështu Shqipëria do ta ndjejë efektin e investimeve që do duhet të na vijnë nga jashtë kufirit.

Pika e tretë dhe më aktuale mbetet rreziku gjeopolitik në hapësirën digjitale. Gjeopolitika ka qenë fjala kyce vitet e fundit. Luftërat e reja tashmë nuk zhvillohen vetëm në shesh-beteja, por dhe nëpërmjet një kompjuteri të thjeshtë si për të simbolizuar kohën në të cilën po jetojmë. Kibernetika nuk është neutrale, ajo merr kahe sipas përdorimit. Vendi ynë ka qenë mjaft i ekspozuar ndaj këtyre sulmeve dhe vëmendja duhet rritur. Për shkak të pozicionit rajonal apo politikës së jashtme, ne kemi hasur në problematika pikërisht nga këto rrugë të reja sulmi. Nëse do të mendojmë se këto cështje janë dukuri që i përkasin vetëm qeverisë, do të gaboheshim.

Sektori privat ka gjithashtu një rol tejet të rëndësishëm. Integrimi sa më parë i aktorëve kyç të ekosistemit të saj të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik do të sillte një frymëmarrje dhe qartësi për vetë shtetin, i cili ka për detyrë të ndjekë projektet strategjike të përcaktuara nga NATO.

Ndoshta për këto arsye teknike tek qytetari i thjeshtë, samitet në përgjithësi marrin një konotacion të pavlerë dhe jo pa shkak. Politikanë dhe burokratë që mblidhen për cështje që në parim janë themelore për një botë që gjithmonë e më shumë po globalizohet, por koha që nevojitet për t‘i sjellë ato në zbatim mbetet ende e gjatë. Një durim i pashembullt për popujt që aspirojnë prej dekadash të përfshihen në një klub që dikur prosperonte shpejt.

Europa ka funksionuar kështu prej brezash, ndaj jo pa arsye rrugëtimi i saj duket sot më pak modern se kurrë duke e humbur ritmin dhe dëshirën e po aq edhe vullnetin, karakteristika këto me të cilat epoka e re po ecën shumë shpejt. Ndaj dhe Shqipëria, shfaqjen që i vjen nga samitet jo vetëm që i duhet ta kthejë në marketing, por natyrisht prej këndej asaj i duhet dhe të përputhë arritjet me ambiciet që ka. Samitet na kujtojnë se të jesh sovran nuk mjafton vetëm një flamur në sallë, por të jesh i aftë gjithashtu të forcosh sigurinë e vendit tënd, të kesh informacion dhe të jesh pararojë duke ruajtur integritetin kombëtar.

Në gjithë këtë përpjekje luftë- paqe këto më lart janë disa arsye përse nuk ngjajnë paradoksale vendimet që sapo hynë në fuqi në kontinentin europian për udhëtarët që vijnë nga vendet jo-shengen. Në një farë mënyre ka një rigorozitet të shtuar në deklarimin e të dhënave, destinacionin, kohën e qëndrimit dhe arsyen e udhëtimit të tyre kur ata lënë kufirin duke mbartur njëkohësisht dhe një trysni të shtuar që klubi ushtron ndaj lëvizjes së lirë. Në dukje ‘të lirë‘ me një vëmendje të kujdesshme për të përcuar mesazhin se gjithkush ‘vrojtohet‘. Një lëvizje me kah të kundërt nga cfarë kemi dëgjuar nga ata kohët e fundit, mbi një zgjerim apo dhe ofrim për të na marrë në grupin e tyre.

Rruga vazhdon të jetë e gjatë dhe e mbushur me sfida. Por Shqipërisë i duhet të vazhdojë të qëndrojë konsistente dhe ambicioze drejt qëllimit final.

Top Channel