
Teksa e përshkroi edhe një herë luftën e UCK-së si të drejtë dhe në mbrojtje të popullit të Kosovës, Vjosa Osmani pohoi se e mbështet protestën në Tiranë, që organizohet në 17 tetor në përkrahje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“E mbështes këtë protestë dhe e kam mbështetur secilën protestë e cila thërret për drejtësi. Qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët gjithandej, asnjëherë nuk kanë kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësi. Drejtësi e cila respekton parimet më të larta të mbrojtjes se të drejtave të njeriut. Kosova dhe më konkretisht krerët të cilët tani përballen në Hagë pikërisht pse kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, tashmë po bëhen pesë vite, pa asnjë dyshim në drejtësinë ndërkombëtare por ne si institucione të Kosovës vazhdimisht kërkojmë qe parimet më te larta të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive të njeriut të respektohen dhe unë u jap plotësisht të drejtë qytetarëve tanë dhe i mbështes ata sa herë protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve”, u shpreh Vjosa Osmani.
Më tej, ajo e pati një mesazh edhe për partitë në Kosovë, për të cilat tha se shpreson “të gjejnë gjuhë të përbashkët” për formimin e ekzekutivit.
“Unë shpresoj shumë që sa më parë të kemi Qeveri me mandat të plotë kushtetues sepse siç e dini Qeveria në detyrë ka kompetenca të kufizuara sipas Ligjit për Qeverinë. Kjo pastaj e pengon jo vetëm punën e Qeverisë, por e pengon shtetin në tërësi. Është në duart e partive politike, të cilat shpresoj shumë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe qytetarët e Kosovës, në përputhje me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhje, do të kenë Qeveri me mandat të plotë”, theksoi Osmani.
Top Channel