Një javë pasi Kushtetuesja “ngriu” dekretin e Bajram Begajt, Presidenca i kërkon kësaj gjykate ta heqë pezullimin dhe të ridërgojë Tiranën në votime.
Presidenca e cilëson vendimin si antikushtetues dhe të nxituar.
“Nuk ka asnjë shpjegim logjik dhe të arsyeshëm që të bindë palët e përfshira për faktin pse Gjykata Kushtetuese ka injoruar tërësisht aktet zyrtare të disa organeve shtetërore dhe qëndrimin e tyre të qartë se shkarkimi nuk bëhej në bazë të nenit 115 të Kushtetutës, por në bazë të nenit 62 të ligjit nr. 139/2015”.
Sipas Presidencës, Gjykata ka vepruar pa analizuar bazën ligjore të shkarkimit të Veliajt dhe pa dokumentuar arsyetimin për pezullimin e dekretit presidencial.
“Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë një akt administrativ, mbi të cilin nuk ka juridiksion, për shkak se nuk ka ditur si të pengonte veprimin e tij. Ky është arbitraritet i patolerueshëm për një sistem që vepron mbështetur në parimet e shtetit ligjor”.
Në analizën ligjore ekspertët e Presidencës argumentojnë se nëse Gjykata do të kishte vendosur pezullimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt, nuk do të kishte më nevojë për dekretin presidencial, pasi nuk do të ekzistonte vakanca në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm e të logjikshëm për faktin pse Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur sot e kësaj dite pezullimin e VKM-së nr. 539, datë 25.9.2025, për të cilin vlerësonte se është kompetente, por ka vendosur pezullimin e një akti të Presidentit të Republikës që rrjedh nga kjo VKM, për të cilin qartazi nuk ka asnjë kompetencë.”
Presidenca shpreh shqetësimin se ky vendim i gjykatës krijon precedent të rrezikshëm dhe mund të prodhojë konflikt institucional.
Top Channel