Inside Story / Sfilitja tre dekada që çoi në krim, gjykata strategji për uljen e stokut, por… sistemi në kolaps!

15/10/2025 22:33

Krejt ndryshe nga premtimi për reduktimin e stokut, reforma në sistemin gjyqësor, e cila u finalizua në fund të vitit 2022, e ka shtuar edhe më problematikën e çështjeve gjyqësore në apel.

Aktualisht, kjo gjykatë punon vetëm me 1/3 e stafit të kërkuar. Kjo trupë gjyqësore është njëkohësisht vetë viktimë e këtyre kushteve. Duhet të përballojë të gjithë procesin ankimor që vjen nga të gjitha gjykatat e Shqipërisë. Të gjendur në këto kushte mbingarkese ekstreme, ato shqyrtojnë 3 herë më shumë dosje sesa gjyqtarët e vendeve të BE-së, të cilët shqyrtojnë mesatarisht 100 dosje në vit.

Në Shqipëri, një gjyqtar i apelit realizon mesatarisht 300 vendimmarrje në vit.

“Një gjyqtar në BE shqyrton mesatarisht 300 çështje në vit, një gjyqtar në Shqipëri shqyrton 1000 çështje në vit, dhe pastaj probleme të tjera, zbardhje e vendimeve përtej afateve, zvarritje të proceseve dhe rënien e Gjykatës Administrative, e cila aktualisht ka humbur çdo afat. Aktualisht po shqyrton çështje të vitit 2018”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.

Kjo do të thotë që brenda një dite pune, një gjyqtar njihet me çështjen, lexon dosjen, njihet me provat, dëgjon palët dhe merr vendimin. Nga ana tjetër, kjo gjykatë po përballet me një stok të përmasave historike, të pavëzhguar më parë në historinë e gjykatave të apelit. Ky stok ka arritur në 50 mijë dosje. Në kushtet aktuale, do të duheshin 7 vite për ta hequr stokun. Dhe kjo, në kushte ideale, sikur të mos vinte asnjë dosje e re.

“Unë besoj se prodhon stres ekstrem mbi ata që marrin shërbimin gjyqësor dhe mbi ata që duhet ta shërbejnë drejtësinë. Pra, janë krijuar parakushtet eksplozive që dikush të paraqitet në sallë dhe të godasë atë gjyqtar që shorti i verbër ia solli përballë”, u shpreh Gerti Shella, drejtor i INFOCIP.

Ky fund tragjik duket të ishte edhe rasti i gjyqtarit Astrit Kalaja, që u ekzekutua nga një person, familja e të cilit orvatej prej vitesh nëpër salla gjyqesh.

Është ironike të thuash se në faqen zyrtare të Këshillit të Lartë Gjyqësor është publikuar një Strategji e posaçme për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura për periudhën 2024–2027. Por, nëse në vitin 2023 në Apel ishin rreth 37.600 dosje stok, sot numri ka arritur në 50 mijë. Pra, një strategji optimiste vetëm në letër.

Para vitit 2019, në Apel zgjidheshin mesatarisht 17 mijë çështje në vit; aktualisht ky numër ka rënë nën 10 mijë. Para vitit 2013 duheshin 270 ditë për të zgjidhur një çështje civile; në vitin 2023 kohëzgjatja është shumëfishuar, duke arritur 1.250 ditë.

“Në renditje, numri një është për konfliktet e mosmarrëveshjet brenda familjes së madhe, aty fillon. Pastaj vjen drejtësia që nuk është vendosur në shumë raste dhe me të drejtë disa janë të pakënaqur nga vendimet e drejtësisë, nga zvarritjet e gjyqeve, abuzimet, korrupsioni. Pastaj vijnë abuzimet e tjera që lidhen me hipotekën dhe aty është një katrahurë në këtë drejtim. Dhe tjetra është për abuzime me dokumentacionin në arkiva”, u shpreh Roland Qafoku, gazetar.

Në Gjykatën Administrative të Apelit, në 2014-ën, numri i çështjeve të prapambetura ishte afërsisht 6 mijë. Në vitin 2023 shkoi në mbi 23 mijë dosje. Bazuar në treguesit e mësipërm, për zgjidhjen e një çështjeje duhen mesatarisht 5.326 ditë, ose 14 vjet e gjysmë.

Problemet me të cilat përballet Gjykata e tragjedisë janë nga më absurdet. Gjykata e Apelit vijon të punojë me regjistra manualë, pasi ky institucion nuk ka para për të paguar një sistem elektronik. Kjo do të ndihmonte për ta bartur stokun në vitin pasardhës. Si pasojë, të 50 mijë dosjet duhen kaluar manualisht në regjistrat e vitit që vjen.

“Çfarë paradoksi! Teknologjia është një mollë e ndaluar për gjykatat. Sapo kemi dekretuar një avatar ministër, s’ka staf për të bërë bartjet. Numëratorët janë të gjithë manualë, bartjet janë manuale, sistemet janë stopuar, ata s’kanë me çfarë të paguajnë stafet. S’ka personel për të bërë bartjet nga viti në vit. Në fund të vitit tjetër, janë regjistra manualë”, u shpreh Gerti Shella, drejtor i INFOCIP.

Top Channel