E gjitha nisi si një seancë e zakonshme civile. Elvis Shkambi, me një vështrim të ftohtë, hyri në godinën e Gjykatës së Apelit rreth orës 15:10.

Kontrolli i sigurisë në hyrje ishte formal. Detektori metalik i dha sinjale se personi në fjalë kishte mjete metalike, por roja i sigurisë, për shkak të ngarkesës në atë institucion, neglizhoi…

Neglizhoi, pasi detektori i Gjykatës së Apelit sinjalizon për pjesën më të madhe të personave që kalojnë aty, ku dikush ka rripin, tjetri togëzën e çantës dhe dikush aksesorë të ndryshëm metalikë.

Roja e sigurisë, Banush Koxhaj, nuk kreu kontroll fizik, edhe pse sinjalizimi dritor tregoi prezencën e metaleve, pa e menduar se Elvisi në brez nuk kishte vendosur vetëm rripin, por edhe një pistoletë Beretta.

Në sallë ndodheshin rreth 10 persona: gjyqtari i ndjerë Kalaja, palët në proces, përfaqësuesit ligjorë dhe përmbaruesja. Pas prezencës së palëve, rreth orës 15:30, gjyqtari Astrit Kalaja shpalli vendimin paraprak për rrëzimin e kërkesës së Shkambëve për pezullim të ekzekutimit.
Ishte një vendim teknik, i përkohshëm.

Në thelb, nuk ishte vendim që vendoste për pronën. Por, për familjen Shkambi ishte sinonim i humbjes dhe vijimit të kalvarit. Në çastin kur gjyqtari po lexonte arsyetimin, Elvis Shkambi, i ulur në bankën e prapme, vendosi dorën në brez.

Askush nuk e vuri re. Në një moment, ai u ngrit dhe eci përpara, sikur donte të fliste. Pasi u afrua tre hapa, u dëgjua krisma e parë. Një plumb e goditi gjyqtarin në anën e majtë të gjoksit.

“Në momentin që u shpall vendimi, u ndjeva keq, mu errën sytë. Nxora pistoletën që kisha me vete dhe qëllova. Më ishte sosur durimi. Ky ishte akti i fundit pas padrejtësive që po kryheshin me pronën që unë dhe familja ime zotëronim”, u shpreh Shkambi.

Top Channel