Astrit Kalaja kishte një lidhje speciale me qytetin e Shkodrës, ndaj bashkëqytetarët, miqtë e tij nuk mund të mungonin në këtë ceremoni. Si njohje të vjetra, apo thjesht respekt i ndërsjellë duke e lidhur me figurën e tij.

‘Dhimbje shumë e madhe, e vrau shteti. Ishte një shkodran dhe qytetar model’ u shpreh miku i gjyqtarit, Ismet Drishti.

Një tjetër i njohur i tij, që në periudhën e fëmijërisë, kujton momentet e bukura dhe personalitetin e Astritit që në rininë e hershme. Ylli Kameri, avokat nga Shkodra, dhe njohje e hershme e Kalasë flet mjaft bukur për të ndjerin.

Pas ceremonisë e nderimeve shtetërore në Tiranë, kortezhi mortor u nis drejt Shkodrës, duke kaluar edhe pranë Gjykatës, atje ku Kalaja dha jetën. Banesa e fundit e magjistratit 62-vjeçar është pikërisht në qytetin e tij të lindjes që i dedikonte poezi sa ishte gjallë…

‘Ne në atë kohë ishim të bindur dhe jemi edhe sot që gjykata e apelit të Shkodrës nuk duhej shkrirë. Ajo kishte një trupë me shumë integritet mes të cilëve edhe i ndjeri Kalaja. Ne pamë te gjykata e apelit të Shkodrës, që të mundeshe, përmes një modeli të mirë efektiv, të përmirësoheshin afatet e vonesave’ u shpreh Gerti Shella, drejtor i INFOCIP.

Miqtë që e njohën që në rini, e veçojnë Astritin si një njeri racional dhe human, veti që sipas tyre e dalluan edhe në 3 dekada karrierë.

‘Astrit Kalaja ishte i veçantë, ai ishte shume i ditur, shume human dhe shume i përgatitur. Nuk ishte i nxituar dhe ne pune ishte shume racional me vendimmarrjet, duke pasur parasysh gjithmonë dhe palët që kishte përballë’ u shpreh Alban Zusi, mik i Astrit Kalasë.

Top Channel