Indonezi/ Shpërthim i ri vullkanik në ishullin Flores, niveli i alarmit në maksimum

15/10/2025 10:55

Vullkani Lewottobi Laki-Laki, në ishullin Flores në Indonezinë lindore, ka hyrë në një fazë të re vullkanike, me shpërthime të përsëritura që nga mbrëmë.

Kjo ka çuar në rritjen e nivelit të alarmit në shkallën më të lartë, ndërsa hiri vullkanik ka arritur deri në 10 kilometra lartësi.

Shpërthimi më i fortë ndodhi sot në orën 01:35 (ora lokale, dje në orën 19:35 me orën tonë), duke dërguar hi dhe gazra deri në 10 kilometra në ajër, sipas një deklarate nga Instituti Indonezian i Vullkanologjisë. Më herët gjatë ditës, një shpërthim tjetër kishte dërguar hirin 9 kilometra lart nga krateri.

Për shkak të rrezikut të shtuar, Agjencia e Vullkanologjisë e Indonezisë ka ngritur nivelin e alarmit në katër, që është niveli më i lartë në shkallën indoneziane.

Drejtori i agjencisë, Muhammad Wafid, i ka këshilluar banorët dhe turistët të qëndrojnë të paktën 6 kilometra larg kraterit. Ai ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e përmbytjeve nga rrjedhat e baltës ose shpërthimeve të tjera vullkanike, veçanërisht në rast se shiu bie në zonë.

Ai tha gjithashtu se hiri mund të shkaktojë probleme për operacionet e aeroportit dhe t’i detyrojë autoritetet të ndryshojnë planet e fluturimit.

Aktiviteti është pezulluar tashmë në aeroportin Momere, 60 kilometra nga vullkani, i cili shërben kryesisht për fluturime të brendshme.

Vullkani kishte hyrë tashmë në një fazë aktiviteti shpërthyes në korrik, kur një kolonë mbresëlënëse hiri u ngrit deri në 18 kilometra dhe çoi në anulimin e rreth njëzet fluturimeve për në ishullin e Balit, rreth 800 kilometra në perëndim të tij.

Emri Laki-Laki (që do të thotë “burrë” në gjuhën vendase) është i lidhur me një vullkan tjetër, ku aktiviteti është më pak intensiv, me një lartësi më të madhe (1,703 metra), Parabuan (“grua”).

Arkipelagu i gjerë indonezian ka aktivitet të shpeshtë dhe intensiv vullkanik dhe sizmik, për shkak të vendndodhjes së tij gjeografike, pasi ndodhet mbi të ashtuquajturën “unazë zjarri” në Oqeanin Paqësor, një zonë ku kryqëzohen pllakat tektonike.

Top Channel