
Vijon operacioni policor i koduar “Ghosts”, i zhvilluar dje, nga Forca Operacionale e DVP Durrës, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Reparti “RENEA”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore, pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e krimeve kundër personit.
Identifikohet nga hetimet, dhe arrestohet në Shijak, shtetasi që përkrahu shtetasin Aldo Avdylaj duke i siguruar banesën me qira, në Tiranë, ku ky i fundit iu fshihej autoriteteve.
Në këtë banesë, Policia gjeti 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Në vijim të punës hetimore dhe operacionale të kryer në kuadër të operacionit “Ghosts”, nga strukturat hetimore të Policisë së Durrësit, në koordinim me Prokurorinë e Durrësit, shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Durrës kapën në Shijak, dhe vunë në pranga shtetasin Dorian Sherifi, 29 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 29-vjeçari ka siguruar banesën në Tiranë, të marrë me qira, me qëllim fshehjen, nga Aldo Avdylaj që është i akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel