
Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 1,330-të, ndërsa tensionet mes Moskës dhe Perëndimit po arrijnë në një pikë kritike.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur për të koordinuar strategjitë e përbashkëta përballë kërcënimeve ruse.
“Veprimet e Putinit në territorin e NATO-s janë të pamatura, të rrezikshme dhe krejtësisht të papranueshme. Nëse NATO kërcënohet, ne do të veprojmë”, deklaroi Sekretari Britanik i Mbrojtjes, John Healey.
Në të njëjtën linjë, homologu i tij gjerman, Boris Pistorius, njoftoi se Gjermania do të dërgojë avionë luftarakë në bazën ajrore të Malborkut në Poloni për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor të aleancës. Ai shtoi gjithashtu se Berlini do të investojë 10 miliardë euro në zhvillimin e dronëve luftarakë.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump shprehu zhgënjimin e tij ndaj Moskës, duke thënë: “Jam i zhgënjyer nga Putini, nuk e kuptoj pse po vazhdon luftën”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të takohet të premten në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan. Në qendër të bisedimeve do të jetë furnizimi i Kievit me sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi, përfshirë edhe Tomahawk, të afta të godasin objektiva deri në 2,500 kilometra larg.
Reagimi nga Moska nuk vonoi. Ish-presidenti rus dhe zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit, Dmitry Medvedev, paralajmëroi: “Furnizimi i Kievit me armë të tilla mund të përfundojë keq për të gjithë, përfshirë edhe Trumpin”.
Top Channel