
Kompania mëmë e Google, Alphabet, ka njoftuar një investim prej 15 miliardë dollarësh për të ndërtuar një qendër të dhënash të inteligjencës artificiale në shtetin jugor indian Andhra Pradesh.
Projekti do të vendoset në qytetin bregdetar të Visakhapatnam dhe do t’i bashkohet rrjetit global të qendrave të inteligjencës artificiale të Google në 12 vende. Drejtori ekzekutiv i Google Cloud, Thomas Kurien, tha se ky është investimi më i madh i kompanisë në një qendër të inteligjencës artificiale jashtë Shteteve të Bashkuara. Duke folur në një aktivitet në New Delhi të martën, Kurien tha se investimi do të përfundojë në faza gjatë pesë viteve të ardhshme.
Njoftimi vjen në një kohë kur Presidenti i SHBA-së Donald Trump u ka kërkuar kompanive amerikane t’i japin përparësi investimeve vendase. Megjithatë, India është shfaqur si një qendër e madhe për zhvillimin e infrastrukturës së të dhënave dhe inteligjencës artificiale, falë kostove të ulëta të të dhënave dhe një numri në rritje të shpejtë të përdoruesve të internetit.
Drejtori ekzekutiv i Alphabet, Sundar Pichai, tha se objekti i ri “do t’u sjellë teknologjinë kryesore të kompanisë bizneseve dhe përdoruesve në Indi, duke përshpejtuar inovacionin në inteligjencën artificiale dhe duke nxitur rritjen në të gjithë vendin”.
Qeveria e Andhra Pradesh tha se një marrëveshje zyrtare për të finalizuar projektin do të nënshkruhej më vonë gjatë ditës. Ministrja e teknologjisë së shtetit, Nara Lokesh, e quajti atë “një hap gjigant drejt së ardhmes dixhitale, inovacionit dhe njohjes ndërkombëtare të shtetit”.
Sipas BBC-së, projekti do të kombinojë infrastrukturën e inteligjencës artificiale dhe cloud-it me burimet e energjisë së rinovueshme dhe një rrjet të gjerë me fibra optike. Është gjithashtu pjesë e planit të qeverisë lokale për të zhvilluar 6 GW kapacitet energjie në qendrat e të dhënave deri në vitin 2029, sipas Bloomberg News.
Qendrat e të dhënave janë objekte fizike që strehojnë pajisje kompjuterike dhe rrjetëzimi për të mbledhur, përpunuar, ruajtur dhe shpërndarë të dhëna. Ato përfshijnë servera, sisteme ruajtjeje dhe pajisje rrjeti si routerë dhe firewall-e, së bashku me sistemet e nevojshme të energjisë dhe ftohjes.
Në Andhra Pradesh, qeveria po ofron tokë dhe energji elektrike të subvencionuara për të tërhequr investitorë ndërkombëtarë.
Top Channel