Gaza: Roli i Trumpit kyç, por jo rrugë drejt paqes/ A do çarmatoset vërtet Hamasi?

15/10/2025 13:54

Mesazhi i Donald Trumpit në Sharm El Sheik ishte ai i krijimit të një pikë kthese historike.

“Gjatë gjithë jetës time kam bërë marrëveshje. Marrëveshjet e mëdha ndodhin, dhe kjo mund të jetë ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha”, u shpreh presidenti amerikan duke u shfaqur triumfator për rolin e tij në ujdinë e Gazës.

Pa dyshim, Trump mund të marrë meritat për armëpushimin dhe marrëveshjen e shkëmbimit të pengjeve. Katari, Turqia dhe Egjipti përdorën ndikimin e tyre tek Hamasi për ta detyruar atë të pranonte.

Kjo e bëri atë një përpjekje të përbashkët, por roli i Trump ishte vendimtar, thotë BBC. Pa këmbënguljen e tij që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të pajtohej me kushtet të cilat i kishte refuzuar më parë, marrëveshja nuk do të ishte nënshkruar.

Megjithatë, për ekspertët, ujdia e Gazës nuk është një roadmap drejt paqes së qëndrueshme në Lindjen e Mesme, e destinacioni përfundimtar i kësaj nisme mbetet i paarritshëm. Armëpushimet gjithmonë janë shkelur deri tani në fazat e tyre të hershme.

Që ato të mbijetojnë, palët duhet të jenë plotësisht të angazhuara për t`i bërë të funksionojnë vërtet, dhe armëpushimit në Gaza një bazë e tillë i mungon, vazhdon BBC. Krisjet e para nisën vetëm 24 orë pasi izraelitë e palestinezë ndanë mes tyre gëzimin e lirimit e lirimit të pengjeve në njërin krah, dhe të burgosurve në anën tjetër.

Me pretendimin se është e vështirë të gjejë varret e tyre mes rrënojave masive të Gazës, Hamasi, deri më tani, ka kthyer vetëm shtatë nga trupat e 28 pengjeve që u vranë gjatë burgosjes së tyre. Ndërkohë, Izraelit i ka shteruar durimi.

”Nuk dihet po kështu sesa realist është pretendimi i çarmatimit të Hamasit. Hamasi faktikisht armatimin e vet e konsideron si garanci për ekzistencën, e kjo ushtarakisht, politikisht e po ashtu edhe në mënyrë simbolike”, thotë Simon Engelkes, drejtor i zyrës së fondacionit gjerman Konrad-Adenauer në Ramallah.

“Pa një kompensim konkret politik, me gjasë Hamasi nuk do ta miratojë çarmatimin. ‘Garancitë e sigurisë’ të presidentit të SHBA-së Trump, se nuk do të vazhdojë lufta në Rripin e Gazës si rrjedhojë e marrëveshjes së armëpushimit, në këtë moment janë të pamjaftueshme.”

Top Channel