Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Drejtoresha për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Valentina Superti, zhvilloi një takim me Kryeprokurorin e Posaçëm Altin Dumani, ku vlerësoi punën e deritanishme të SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.

Superti theksoi se kjo luftë përbën një element kyç në përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kjo punë thelbësore duhet të vijojë me të njëjtën vendosmëri dhe forcë edhe nën Kryeprokurorin e ri të Posaçëm, përzgjedhjen dhe emërimin e të cilit do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër.”

Vetëm një ditë pasi Dumani raportoi në komisionin e Ligjeve në Kuvend, përfaqësuesja e BE-së konfirmoi se kreu i SPAK pritet të raportojë në Bruksel për arritjet e mandatit të tij.

“Së shpejti presim të mirëpresim z. Dumani në Bruksel, ku ai do të paraqesë arritjet e SPAK gjatë mandatit të tij, një kontribut i madh në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, si edhe në përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit në BE.”

Teksa mandati i Dumanit shkon drejt përfundimit, BE shpreh interesim të vazhdueshëm për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Posaçëm.

Në deklaratën e saj, Superti theksoi rëndësinë që puna e nisur nga SPAK të vijojë me të njëjtin intensitet dhe integritet edhe në krye të drejtësisë së re.

Top Channel