Tragjedi në Itali/ Shpërthim i fuqishëm në një banesë gjatë operacionit policor, humbin jetën 3 karabinierë dhe plagosen 15 të tjerë

14/10/2025 09:32

Një ngjarje e rëndë ndodhi në mëngjesin e së martës në Castel d’Azzano, pranë Veronës, në veri të Italisë.

Gjatë një operacioni për të zbrazur një banesë të zënë në mënyrë të paligjshme, një shpërthim i fuqishëm shkaktoi shkatërrimin e një shtëpie dykatëshe, duke marrë jetën e 3 karabinierëve dhe plagosur 15 persona të tjerë, përfshirë policë dhe zjarrfikës.

Viktimat janë tre karabinierët Marco Piffari, Davide Bernardello dhe Valerio Daprà. Ata ndodheshin në vendin e ngjarjes për të zbatuar një urdhër për të larguar banorët dhe për të kontrolluar për materiale të rrezikshme, si bomba molotov.

Fatkeqësisht, shpërthimi i papritur plagosi rëndë pjesëtarët e tjerë të forcave të sigurisë dhe zjarrfikësve.

Ky nuk ishte rasti i parë që banorët përdornin gaz për të shmangur ndërhyrjen. Një vit më parë, ata kishin mbushur banesën me gaz, por atëherë operacioni ishte shtyrë dhe nuk kishte ndodhur ndonjë incident i rëndë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave. Ajo theksoi edhe rëndësinë e punës së karabinierëve dhe forcave të sigurisë në shërbim të vendit.

Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, tha se shpërthimi ndodhi menjëherë pas hapjes së derës dhe se dyshohet se është shkaktuar nga dikush brenda banesës. Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh se karabinierët dhanë jetën duke kryer detyrën.

Prokurori i Veronës po heton ngjarjen dhe po kërkon personin e tretë që është arratisur. Në banesë po kërkoheshin edhe mjete të tjera të rrezikshme. Autoritetet po punojnë për të sqaruar çdo detaj dhe për të siguruar drejtësi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta