
Kremlini ka përshëndetur dëshirën e Presidentit Trump për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë, pas arritjes së armëpushimit në Gaza, dhe ka thënë se shpreson që ai do ta nxisë Kievin drejt një zgjidhjeje.
Trump foli të hënën për dëshirën për të arritur një marrëveshje me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor, por tha se do ta kishte prioritet përpjekjen për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Së pari duhet ta mbyllim çështjen me Rusinë. Duhet ta përfundojmë atë. Nëse nuk të pengon, Steve [Witkoff, i dërguari i posaçëm që ka zhvilluar bisedime me Presidentin Putin], le të fokusohemi fillimisht te Rusia,” tha Trump.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se Rusia mbetet e hapur për bisedime paqeje.
“Ne padyshim i mirëpresim këto qëllime dhe e mirëpresim konfirmimin e vullnetit politik për të bërë gjithçka të mundur për të nxitur kërkimin e zgjidhjeve paqësore,” tha Peskov.
“Ne tashmë e njohim mirë z. Witkoff. Ai është efektiv, ka dëshmuar efektivitetin e tij tani në Lindjen e Mesme dhe shpresojmë që talenti i tij do të vazhdojë të kontribuojnë në punën që tashmë është në zhvillim në Ukrainë.”
Top Channel