Pretendohet për grusht shteti dhe atentat, presidenti i Madagaskarit strehohet në vend të sigurt

14/10/2025 08:52

Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka deklaruar se ndodhet në një “vend të sigurt” pas një tentative për atentat ndaj jetës së tij dhe përpjekjeve për grusht shteti nga një grup ushtarakësh dhe politikanësh.

Në një fjalim drejtpërdrejt në Facebook, ai tha se “planifikohej vrasja ime”, ndërsa protestat kundër qeverisë së tij janë përshkallëzuar në të gjithë vendin.

Kjo vjen pas dy javësh trazirash masive të udhëhequra nga të rinjtë e njohur si “Gjenerata Z Mada”, që kërkojnë dorëheqjen e Rajoelinës për shkak të krizës ekonomike, ndërprerjeve të energjisë, korrupsionit dhe varfërisë ekstreme.

Njësia elite CAPSAT, e cila ndihmoi Rajoelinën të vijë në pushtet në vitin 2009, u shkëput nga presidenti dhe deklaroi veten si komanduese të forcave të armatosura. Komandanti i emëruar prej tyre, Gjenerali Demosthene Pikulas, tha se ushtria po punon për të ruajtur rendin.

Zyra e presidentit ka akuzuar se po tentohet një rrëzim i dhunshëm i qeverisë, ndërkohë që vetë Rajoelina nuk është parë në publik që nga e mërkura. Mediat raportojnë se ai mund të jetë larguar nga vendi me ndihmën e një avioni ushtarak francez, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Partia kryesore opozitare TIM ka paralajmëruar se do të nisë procedurat për shkarkimin e presidentit për “braktisje të postit”, ndërsa protestat kanë shkaktuar të paktën 22 viktima dhe mbi 100 të plagosur, sipas OKB-së. Qeveria ka mohuar shifrat, por dëshmitarë flasin për përdorim të municioneve të vërteta nga forcat e sigurisë dhe vrasje civile, përfshirë vdekjen e një foshnje nga gazi lotsjellës.

Top Channel