Pas protestave për shpërblimet luksoze, deputetët indonezianë marrin një tjetër rritje bonus gjatë pushimeve parlamentare

14/10/2025 09:21

Vetëm disa javë pas protestave masive në Indonezi kundër privilegjeve të tepruara të deputetëve, një shpërblim i ri financiar ka ndezur sërish zemërimin e qytetarëve.

Zëvendëskryetari i Parlamentit indonezian, Sufmi Dasco Ahmad, konfirmoi se deputetët do të përfitojnë 702 milionë rupiah (rreth 42,400 dollarë) si shpërblim për periudhën e pushimeve parlamentare, gati dyfish krahasuar me shumën e mëparshme prej 400 milionë rupiah.

Ky shpërblim synon të mbulojë shpenzimet për aktivitetet e deputetëve në zonat elektorale gjatë kohës që parlamenti nuk është në seancë. Megjithatë, shumë qytetarë e shohin këtë si një tjetër formë privilegji të tepruar, në një kohë kur pjesa më e madhe e popullsisë përballet me vështirësi ekonomike.

Protestat kundër privilegjeve luksoze nuk ndalen: populli i revoltuar, deputetët marrin rritje të re shpërblimi

Protestat e muajit gusht nisën pasi u zbulua se deputetët merrnin 3,000 dollarë në muaj për strehim, një shumë që është afro 10 herë më e lartë se paga minimale në kryeqytetin Xhakartë. Pas presionit të madh publik, ky shpërblim u hoq – por tani, rritja e shpërblimit për pushimet parlamentare shihet si një formë tjetër kompensimi që ka ringjallur pakënaqësinë popullore.

Zemërimi është shtuar edhe më shumë kur u raportua se disa deputetë kishin marrë 54 milionë rupiah shtesë gabimisht, megjithëse autoritetet thonë se bëhej fjalë për një “gabim njerëzor” dhe se shuma është rikthyer.

Zyrtarisht, rritja e shpërblimit argumentohet me kosto më të larta për transportin dhe ushqimin gjatë vizitave në terren. Deputeti Dasco njoftoi gjithashtu se do të lançohet një aplikacion publik, ku qytetarët mund të monitorojnë shpenzimet e deputetëve gjatë pushimeve, si pjesë e një përpjekjeje për transparencë.

“Është si të jesh i mashtruar,” u shpreh Lucius Karus nga organizata e pavarur Formappi, që monitoron aktivitetin parlamentar. “U ndjemë të lehtësuar kur u hoq shpërblimi për strehimin, por doli një tjetër shpërblim marramendës.”

Në rrjetet sociale, shumë qytetarë shprehin zhgënjimin dhe frustrimin ndaj klasës politike. “Sjellja e qeverisë nuk është për t’u habitur,” shkroi një përdorues në X. “Ajo që është për t’u habitur, është pse populli ende i voton këta njerëz.”

Në shumë vende, deputetët marrin fonde shtesë për aktivitetet në zonat elektorale. Në Australi, për shembull, shpërblimet vjetore variojnë nga 25,000 deri në 37,000 dollarë, në varësi të madhësisë së zonës. Por në Indonezi, një ekonomi e goditur rëndë nga pabarazitë dhe korrupsioni, këto shuma perceptohen si të padrejta dhe të ndara nga realiteti i qytetarëve të zakonshëm.

Top Channel