
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Vernona të Italisë, ku tre efektivë kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur, pas hedhjes në erë të një banesë me bombola gazi.
Mediat italiane raportojnë se efektivët kishin shkuar në një banesë të tre vëllezërve, për t’i larguar ata përmes procedurës së përmbarimit. Ata kanë refuzuar që të largohen, duke lënë hapur dhe më pas shpërthyer disa bombola gazi.
Nga shpërthimi i fuqishëm menjëherë sapo policia u fut në banesë, kanë humbur jetën tre efektivë dhe 15 të tjerë mbetën rëndë të plagosur.
Por kjo ngjarje nuk ishte ‘skenar’ i panjohur për policinë. Sipas ‘Corriere’, një vit më parë tre vëllezërit kishin kërcënuar përmbaruesit se nëse futen në banesë, do t’i hedhin në erë.
Franco dhe Maria Luisa Ramponi kërcënuan me aktin e çmendur që ata kryen sot, se ishin përgatitur të hidhnin veten në erë së bashku me fermën e tyre shekullore në Castel D’Azzano , ku jetonin dhe punonin së bashku.
Në atë rast, ata u shpëtuan nga zjarrfikësit, të cilët i evakuuan dhe shmangën tragjedinë, teksa ata kishin hipur në çatinë e ndërtesës me një bombol benzine me vete, ndërsa kishin hapur gazin brenda ndërtesës dhe kishin mbyllur të gjitha dyert dhe dritaret, gati për të hedhur në erë të gjithë strukturën.
Thuhet se problemet familjare qëndrojnë pas tentativës së vetëvrasjes së tyre, e cila përfshinte edhe hedhjen në erë të fermës së tyre.
“Ne ishim gati të hidheshim në erë, në fund të fundit, kjo është ajo që ata duan”, shpjegoi Maria Luisa në atë kohë, duke theksuar se si filloi e gjithë kjo çështje në vitin 2014, kur vëllai tjetër, për shkak të një sërë borxhesh të akumuluara, dyshohet se mori një kredi hipotekare duke falsifikuar firmën e një anëtari të familjes.
Në vitin 2019, ai pranoi gjithçka para të afërmve, duke u paraqitur vetë te forcat e rendit në vitin 2021. Ndërkohë, megjithatë, ndërtesat dhe toka u sekuestruan.
Në 2024 dy vëllezërit, pasi kishin paralajmëruar se nuk do të largoheshin dhe se ishin gati të bënin gjithçka për të shmangur largimin nga prona, i kishin mbushur dhomat me gaz, duke mbyllur dyert dhe dritaret.
E njëjta skenë, këtë herë me një epilog dramatik, u përsërit orët e para të kësaj të marte.
Top Channel