Protesta kundër masave shtrënguese të qeverisë në Belgjikë, greva e përgjithshme anulon qindra fluturime

14/10/2025 15:09

Aeroportet e Brukselit (Zaventem) dhe Charleroi janë ndërprerë sot nga një grevë kombëtare në Belgjikë, e thirrur nga sindikatat kundër reformave ekonomike dhe sociale të qeverisë federale të koalicionit, të udhëhequr nga kryeministri Bard de Wever.

Në aeroportin Zaventem, të gjitha fluturimet nisëse dhe pothuajse gjysma e mbërritjeve janë anuluar, duke prekur rreth 48,000 pasagjerë, sipas një zëdhënësi të aeroportit. Aeroporti i Charleroit, i dyti më i madh në vend, deklaroi se nuk do të mund të operojë fluturimet e planifikuara, si nisjet ashtu edhe mbërritjet.

Përveç aeroportit, transporti publik në Bruksel, Flandër dhe Wallonia është ndërprerë në mënyrë të konsiderueshme, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për qytetarët.

Sipas sindikatave, më shumë se 100,000 protestues kanë marshuar në rrugët e Brukselit që nga mëngjesi, ndërsa policia raporton për rreth 80,000 pjesëmarrës. Demonstratat janë kundër masave shtrënguese të qeverisë së koalicionit, e cila synon të kufizojë përfitimet e papunësisë brenda dy vjetësh dhe të zbatojë një reformë të gjerë të pensioneve.

Qeveria belge po planifikon gjithashtu shkurtime të konsiderueshme në buxhetin shtetëror të vitit 2026, çka ka shtyrë prezantimin e tij për javën e ardhshme.

Kërkesat kryesore të tre sindikatave më të mëdha – CSC, FGTB dhe CGSLB – janë të natyrës socio-ekonomike, kërkojnë krijimin e vendeve të punës cilësore dhe sigurimin e pensioneve të drejta për qytetarët.

Top Channel