
Greqia paralizohet sot përsëri nga një grevë e përgjithshme mbarëkombëtare 24 orëshe , e dyta brenda dy javësh, në shenjë proteste ndaj projektligjit të ri të punës, i cili parashikon, mes të tjerash, mundësinë e punës deri në 13 orë në ditë tek i njëjti punëdhënës.
Kjo grevë, e cila zhvillohet pa thirrjen e Konfederatës së Përgjithshme të Punës (GSEE), është shpallur nga 38 Qendra të Punës, një numër rekord pjesëmarrjeje, si dhe nga ADEDY, federata e punonjësve të sektorit publik, dhe dhjetëra sindikata të sektorit privat.
Protestuesit kërkojnë që projektligji të mos miratohet në parlament dhe kërkojnë rikthimin e javës 35-orëshe, punës 5-ditore dhe pagës së 13-të e të 14-të. Ata gjithashtu kërkojnë paga dinjitoze dhe kushte të sigurta pune, ndërsa punonjësit në shtet kërkojnë edhe heqjen e disiplinës së re ligjore për administratën publike.
Sipas deklaratës së ADEDY, “qeveria, në vend që të mbështesë të ardhurat e punëtorëve dhe të forcojë shërbimet publike, zgjedh të aprovojë ligj për punën e tepërt dhe oraret rraskapitëse, duke imponuar heshtje në vendet e punës”.
Ndërkohë, PAME, sindikata që mbështet Partinë Komuniste , e quan këtë projektligj “një përpjekje për të krijuar skllevër modernë në epokën e inteligjencës artificiale”.
Ajo kërkon rritje reale të pagave përmes marrëveshjeve kolektive, në mënyrë që askush të mos detyrohet të punojë 13 apo 14 orë në ditë për të mbijetuar.
Në protesta janë bashkuar edhe studentë dhe nxënës, të cilët kundërshtojnë, siç thonë, “ritmin çnjerëzor të punës së prindërve të tyre dhe shtimin e presionit në shkolla”.
Tubime dhe marshime proteste zhvillohen në dhjetëra qytete të Greqisë.
Në Athinë, sindikatat kanë thirrur qytetarët në Sheshin Syntagma në orën 11:00 paradite, ndërsa PAME zhvillon grumbullimin e saj në Propylaia që prej orës 10:30.
Në Selanik, protesta kryesore mbahet pranë përmendores së Venizelos.
Protestat pritet të zgjasin gjatë gjithë ditës, ndërsa transporti publik, shkollat dhe shërbimet publike funksionojnë me pengesa të shumta për shkak të pjesëmarrjes së gjerë në grevë.
Top Channel