Kompania amerikane OpenAI, krijuesja e ChatGPT, ka nënshkruar një letër qëllimi për të ndërtuar një qendër të të dhënave për inteligjencën artificiale në Patagoni të Argjentinës, projekt që do të jetë i pari i këtij lloji në Amerikën Latine, njoftoi të premten presidenca argjentinase.

Projekti, i quajtur “Stargate Argentina”, do të realizohet në partneritet me kompaninë lokale Sur Energy dhe parashikon një investim prej 25 miliardë dollarësh, sipas deklaratës zyrtare të publikuar nga presidenca.

Ky investim është pjesë e politikës së nxitjes së investimeve të huaja, që përfshin lehtësira të mëdha fiskale dhe doganore për 30 vjet, e miratuar nga presidenti Javier Milei në vitin 2024 për sektorët strategjikë.

Njoftimi u bë pas një takimi të mbajtur të premten mes presidentit Milei dhe drejtuesve të OpenAI dhe Sur Energy.

Sipas presidencës, qendra e të dhënave do të jetë “e aftë të mbështesë gjeneratën e ardhshme të përllogaritjeve të inteligjencës artificiale” dhe pritet të ketë një kapacitet deri në 500 megavat.

Vendndodhja e saktë e projektit dhe data e nisjes së punimeve nuk janë bërë ende të ditura.

Top Channel