
Pas dy ditësh bllokim të aktivitetit të Gjykatës në nderim të gjyqtarit të vrarë Astrit Kalaja, edhe sot nuk po zhvillohen gjyqe në Durrës, pasi gjyqtarët po marrin pjesë në mbledhjen e organizuar nga KLGJ në Tiranë.
Korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyçin raporton se dhe nesër nuk do të ketë aktivitet pas vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkot dyditor, 9 dhe 10 tetor, të proceseve civile dhe penale.
Mbi 360 seanca gjyqësore të planifikuara për katër ditët e fundit të kësaj jave shtyhen në Gjykatën e Durrësit për shkak të situatës së krijuar.
Njoftimi:
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në kuadër të transparencës dhe informimit, njofton të gjitha palët në proces si dhe çdo përdorues tjetër që ka interes se:
Për shkak të pjesëmarrjes në “Mbledhjen e Gjyqtarëve”, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, informojmë se:
-Gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës të Seksionit Civil dhe Seksionit Penal, nuk do të zhvillojnë gjykimet e planifikuara për datën 09.10.2025.
Theksojmë se seancat gjyqësore me karakter të ngutshëm si për çështjet penale po ashtu edhe për çështjet civile do të zhvillohen sipas planifikimit të përcaktuar.
Top Channel