
Sali Berisha ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pezulloi dekretin e presidentit Bajram Begaj që vendosi datën 9 nëntor si ditën kur do të mbahen zgjedhjet lokale për bashkinë e kryeqytetit.
Në një deklaratë për gazetarët, Berisha tha se vendimi i sotshëm është një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtutetueshmërisë së rendit.
I pyetur nga gazetarët nëse presidenti Begaj që firmosi dekretin duhet shkarkuar, Berisha tha “po ku ka integritet për dorëheqjen. Ai duhet shkarkuar”.
Me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese tha Berisha, fituan të gjithë shqiptarët. “Kjo nuk është një fitore për PD, është një fitore për çdo shqiptar. Për të gjithë ata të cilët besojnë se Kushtetuta duhet respektuar si garanci për të drejtat e tyre. Për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese e çuan avoketërit e Erion Veliajt. Në këtë kontekst është speficikisht një fitore e avokatëve mbrojtës dhe vetë Erion Veliajt”-tha Berisha.
Berisha shtoi se: “Jam para jush për të shprehur mbështetjen e plotë të PD-së, për kandidatin e pavarur për Tiranën. Besoj dhe shpresoj se të gjitha partitë opozitare edhe pas këtij vendimi do të rikonfirmojë Florian Binajt i cili siç jeni në dijeni u prit me shumë pëlqim dhe kënaqësi nga qytetarët e Tiranës, të të gjithë spektrit, në të gjitha shtresat, grupet e me radhë.
Sot Gjykata Kushtetuese mori një vendim të cilin unë e përshëndes, si një akt të një rëndësie të madhe në mbrojtje të kushtetutës së vendit, në mbrojtje të kushtutetueshmërisë së rendit.
Përshëndes vendimin unanim të gjykatësve, të cilët mbrojtën Kushtetetutën dhe kushtetueshmërinë nga armiqtë e tyre, për të mos thënë një fjalë tjetër, që edhe mund të mos e them nga horrat e shtetit.
Pse e them këtë? Unë jam para jush sot, dhe jam personi që 3 ditë para se Edi Rama të shpaloste skenarin e tij, ju paralajmërova se do të veprojnë në këtë mënyrë dhe se do të anashkalojnë Gjykatën Kushtetuese me pretendimin e turpshëm, banal, vulgar se këshilli i ministrave qenka noteri i këshillit bashkiak.
Që të paraqesësh para kombit qeverinë, ekzekutivin e vendit si noter këtë mund ta bësh vetëm atëherë kur nuk ke ligj, as moral, as respektin më minimal për shtetin, por vërsulesh i papërmbajtur ndaj Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese.
Ndaj besoj se me këtë vendim i bënë një shërbim vendit, rendit kushtetues, dhe u dhanë vulën e turpit, por nuk kanë turp se po të kishin turp nuk mund të vepronin kurrë, atyre që shkelmuan kushtetutën, Edi Ramës, presidentit të tij kukull dhe të gjithë atyre që u implikuan në këtë akt madhor antikushtetues”-u shpreh Berisha.
Top Channel