Seanca gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt/ “U qëllua nga një distancë 2-5 cm”, mjeku ligjor rrëfen detaje tronditëse

06/10/2025 11:45

Të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka dëshmuar Naim Uka, mjeku ligjor që kreu autopsinë e Lirdona Ademajt.

Ekspertiza e tij ka treguar se Liridona u vra nga një distancë 2-5 centimetra.

Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes të cilët kanë shkaktuar djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit dhe në bazë të këtyre provave mjekoligjore është konstatuar se distanca e qitje sillet prej 2 deri në 5 cm”, ka deklaruar mjeku ligjor, që po ashtu ka përjashtuar çdo mundësi të vetëvrasjes.

Eksperti ka treguar se gjatë autopsisë Liridona kishte hematomë në krahun e majtë të saj, të shkaktuar të minimalisht tre orë para vrasjes. Megjithatë, mjeku ligjor nuk ka përcaktuar mjetin me të cilin është shkaktuar lëndimi.

Po. Dora është një nga mjetet e cila nuk mund të përjashtohet si mjet përmes të cilit është shkaktuar ky dëmtim trupor”, shtoi më tej Uka.

Ai u mor në pyetje edhe nga i akuzuari, Naim Murseli.

Në kushte normale unë nuk kam nevojë as me bo pyetje sepse nuk besoj që një shenjë një dorë mund të shkaktohet nga dikush që nuk ka qenë prezent. Por prokurorja pohon se kjo shenjë është shkaktuar nga unë sepse sipas saj kam mbajtur bashkëshorten time për mos të iu shmangur plumbit. A e thotë raporti këtë? Që unë e kam mbajtë gruan time në momentin e vrasjes?”, pyeti Murseli.

Mjeku ligjor tregoi se nuk mund të bëjë pohime të tilla në raport të autopsisë.

Tutje, Murseli e pyeti edhe për kohën e shkaktimit të hematomës në trupin e Liridona Ademajt.

Ju në raportin tuaj tregoni që dëmtimi është shkaktuar jo më gjatë se një orë para vdekjes, që d.m.th. ka mund të ndodhë 59 minuta para vdekjes ose 10sec para vdekjes”, pyeti i akuzuari.

Mjeku ligjor ka sqaruar kohën e shkaktimit të hematomës.

“Kjo ka mund të shkojë deri në tri orë prej 0 deri në 3 orë para momentit të vdekjes, pasi që siç e theksova edhe më herët pasi e ndjera ka qenë obeze dhe për këtë arsye variablat e periudhës kohore të shkaktimit të këtij dëmtimi, zgjerohen”, deklaroi eksperti, i cili përsëri u pyet nga Murseli. I akuzuari pyeti nëse hematoma do të mund të shkaktohej nga vetëlëndimi.

A përjashtohet mundësia e vetëlëndimit në tentativë për të ikë?”, pyeti Murseli. Vetëlëndimin nuk e përjashtoi mjeku ligjore, porse kur u pyet nga gjyqtarja, Naim Ukaj tregoi se në vendin e ngjarjes, në veturën ku u vra Liridona Ademaj, nuk kishte objekt që mund të shkaktonte atë hematomë.

Top Channel