
Florian Haçkaj, emri i cili u përfol si kandidat për Bashkinë e Tiranës, ka reaguar në lidhje me propozimin zyrtar për Florian Binajn si kandidat i opozitës.
Teksa falenderon ata që e propozuan dhe ata që besuan tek ai, Haçkaj shkruan se i ka munguar debati i hapur gjatë nominimit të kandidatëve.
“Falenderoj me mirënjohje të gjithë ata që më propozuan, si dhe qytetarët që shprehën besimin dhe gatishmërinë për të më mbështetur si kandidat për Bashkinë e Tiranës. Ky besim është pasuria më e madhe në jetëshkrimin e një njeriu që lufton për vlerat dhe synon të çmohet vetëm përmes mbrojtjes së tyre.
Procesi i nominimit të kandidaturave jopolitike, pavarësisht profileve të nderuara, ka treguar mungesë të një debati të hapur dhe gjithëpërfshirës, jo vetëm brenda forcave opozitare, por në kulturën politike në tërësi. Një proces i hapur, me konsultim të gjerë dhe dialog mbi idetë e vizionin për qytetin, do të kishte qenë një hap i domosdoshëm për të ndërtuar besim dhe për të forcuar alternativën qytetare.
Mbështetja e gjerë që kandidaturat jo-partiake të propozuara morën në publik tregon qartë nevojën për hapje më të madhe të partive ndaj qytetarëve.
Vendimi për të përfaqësuar opozitën me kandidaturën e Florjan Binaj, mik i imi, mbështetës i kahershëm i Diaspora për Shqipërinë e Lirë në betejën për votën e diasporës, por edhe një zë i palodhur qytetar në shumë beteja publike, është marrë tashmë e unë i uroj suksese adashit në këtë garë sfiduese për Tiranën, duke i shprehur mbështetjen time të plotë.
Angazhimi im për Tiranën dhe për Shqipërinë nuk lidhet me funksione apo pozicione, por me bindjen se secili prej nesh ka detyrimin të kontribuojë për të mirën e përbashkët.
Shqipëria sot ka nevojë për më shumë përfshirje, bashkëpunim dhe dialog të vërtetë, përtej ndasive politike e militantizmit, në shërbim të qytetarëve”, shkruan ai.
Top Channel