
Negociatori demokrat për gjetjen e një kandidati të përbashkët për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehemti i është përgjigjur kreut të Partisw Mundësia, Agron Shehaj për dështimin e negociatave brenda opozitës.
Në një status në faqen e tij në Facebook, ai thotë se kandidatura e Florjan Binajt plotëson kërkesën e Shehajt për përzgjedhjen e një kandidature jopartiake.
Sipas tij pas shpalljes së kandidaturës nga Berisha, grupi negociator kërkoi takim me Shehajn, por nuk mori përgjigje.
“Drejtuar të nderuarve qytetarë dhe z. Shehaj:
1. Partia Demokratike ka qenë krejtësisht e hapur dhe ka respektuar çdonjë prej parimeve përzgjedhëse të kandidaturave që u diskutuan me forcat aleate dhe opozitare, madje ka pranuar edhe pikën e kandidaturës jopartiake të kërkuar nga vetë z. Shehaj publikisht.
2. Gjatë komunikimit të sotshëm zyrtar të Partisë Demokratike, z. Florjan Binaj u paraqit si kandidaturë që plotëson çdo parim bashkarisht të pranuar nga të gjitha forcat aleate.
Grupi negociator menjëherë kërkoi takimet me të gjitha forcat opozitare, përfshirë Partinë Mundësia, për diskutimin mbi kandidaturën e z. Binaj, por këto kërkesa u takuan me mospërgjigjen nga strukturat e drejtuese të Mundësisë.
3. Z. Florjan Binaj është një kandidaturë e shkëlqyer qytetare, zë kritik dhe i guximshëm i shoqërisë. Në vitet e fundit, ai është shquar për qëndrimet e tij publike kundër padrejtësive sociale dhe politike.
Ka pasur raste kur ai është distancuar nga projekte të mëdha për shkak të bindjeve të tij morale, gjest ky që kërkon integritet dhe guxim.Z. Florjan Binaj gëzon respekt të fituar me punë dhe dinjitet. Nuk është një figurë që ka ndërtuar famën mbi skandale apo promovim të panevojshëm, por është bërë i njohur dhe i respektuar falë talentit, punës së palodhur dhe sjelljes së tij etike dhe profesionale.
Pavarësisht suksesit, Florjan Binaj ka ruajtur thjeshtësinë dhe është perceptuar gjithmonë si “njeriu i zakonshëm” që nuk harron prej nga ka ardhur, karakteristike e një familjari të devotshëm dhe e një qytetari model.
E ftojmë z. Shehaj dhe Partinë Mundësia të bashkojë forcat e saj me grupin opozitar në mbështetje të kandidaturës së z. Binaj për t’i ndërruar faqen Tiranës dhe për të ndryshuar modelin e abuzimit dhe arrogancës së treguar ndaj saj nga kandidatët për qeli të pushtetarëve.
Besojmë se z. Shehaj ka mundësinë e pakundërshtueshme të tregojë hapur qëndrimin e tij opozitar në mbështetje qytetare ndaj kandidaturës plot vlera të z. Florjan Binaj për Kryetar të Bashkisë së Tiranës!”, shkruan Alimehmeti.
Top Channel