
Kërkimet shkencore që bëhen nga akademikët duhet të përdoren e të vihen në funksion të institucioneve publike dhe jo publike, e jo thjesht të mbeten në letër duke u depozituar nëpër arkiva.
Inovacioni në teknologji ndërlidh arsimin, sipërmarrjen dhe teknologjinë. Në këtë këndvështrim duhet fokus i veçantë. Për t’u njohur me projekte inovative teknologjike, një grup prej 12 akademikësh nga Shqipëria dhe diaspora ishin në Venecia, në dy qendra të transferimit të teknologjisë.
“Ishte një vizitë shumë interesante dhe me shumë vlerë. Ne përfaqësojmë këtu disa universitete shqiptare, unë Shkodrën… ku po flasim për vënien në shërbim të kërkimit shkencor deri tek institucionet publike”, shprehet Prof. Dr. Blerat Dragusha, zv. rektore për kërkimin shkencor.
Akademikët e konsideruan të vlefshme vizitën në H-Farm, ku u njohën me programet për zhvillimin e startupe-ve.
“Diaspora për Inovacion” ka si qëllim aktivizimin e kapitalit intelektual të diasporës shqiptare, si akademikë apo profesionistë të fushave të tjera, për të ndikuar në zhvillimin ekonomik si dhe krijimin e një ekosistemi të ndërlidhur e të qëndrueshëm inovacioni dhe sipërmarrjeje, në Shqipëri”, shprehet Prof. i Asoc. Endrit Kromidha, Departamenti i Sipërmarrjes dhe Inovacionit në Universitetin e Birminghamit, UK.
Top Channel