
Në Universitetin “Eqerem Çabej” të Gjirokastrës ka nisur zyrtarisht viti i ri akademik, duke sjellë në auditore rreth 400 studentë të rinj, të cilët kanë zgjedhur të vijojnë studimet e larta në këtë institucion të arsimit publik.
Megjithatë, sfidat për universitetin mbeten të pranishme, sidomos në drejtimet e mësuesisë, ku një pjesë e degëve janë në rrezik mbylljeje për shkak të interesit në rënie dhe numrit të ulët të regjistrimeve.
Në të njëjtën linjë, Matematika dhe Fizika vijojnë të mbeten të mbyllura edhe këtë vit, duke reflektuar një trend të vazhdueshëm të mungesës së aplikimeve në fushat e shkencave të sakta.
Në krahun tjetër, Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) po shënon një rritje të ndjeshme të interesit nga të rinjtë, duke u kthyer në një nga degët më të preferuara dhe një prioritet strategjik për zhvillimin e mëtejshëm të universitetit. Një zhvillim i rëndësishëm për këtë vit është edhe hapja për herë të parë e një programi doktorature në Universitetin “Eqerem Çabej”, një hap që pritet të forcojë ndjeshëm kërkimin shkencor dhe të rrisë profilin akademik të institucionit në nivel kombëtar.
Atmosfera në kampus është entuziaste, ndërsa stafi akademik dhe administrativ shprehen të vendosur për ta nisur këtë vit të ri me projekte dhe standarde më të larta në shërbim të studentëve dhe komunitetit universitar.
Top Channel