“Duam zgjedhje të parakohshme”/ Mijëra protestues mësyjnë në rrugët e Tbilisit, tentojnë të sulmojnë pallatin presidencial në Gjeorgji

05/10/2025 08:28

Policia gjeorgjiane është përplasur me mijëra protestues antiqeveritarë në kryeqytetin Tbilisi, teksa një grup demonstruesish tentuan të hynin me forcë në kompleksin presidencial.

Forcat e sigurisë reaguan me përdorimin e topave me ujë dhe sprejit me piper për të shpërndarë turmat.

Incidenti ndodhi gjatë një proteste masive të organizuar në të njëjtën ditë me zgjedhjet lokale, të cilat janë bojkotuar gjerësisht nga partitë opozitare.

Protestuesit akuzojnë partinë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, për manipulim të zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar dhe për largimin e vendit nga rruga e integrimit në Bashkimin Evropian.

Organizatorët e protestës kërkuan arrestimin e gjashtë drejtuesve të lartë të partisë në pushtet dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politikë.

Demonstruesit, shumë prej të cilëve të veshur me të zeza dhe të pajisur me helmeta e maska gazi për të shmangur identifikimin nga kamerat e inteligjencës artificiale, valëvitën flamuj të Gjeorgjisë dhe BE-së gjatë marshimit në qendër të Tbilisit.

Përplasjet shpërthyen kur turma arriti pranë rrugës Atoneli, ku ndodhet pallati presidencial. Një grup protestuesish tentoi të çajë përmes kordonit policor. Autoritetet reaguan duke përdorur gaz lotsjellës dhe duke arrestuar disa pjesëmarrës. Dëshmitarë thonë se situata u bë kaotike dhe shumë njerëz patën vështirësi në frymëmarrje për shkak të gazit.

Qeveria e Gjeorgjisë është përballur me kritika të ashpra pas vendimit për të pezulluar bisedimet për anëtarësim në BE në nëntor 2024. Që atëherë, në Tbilisi janë zhvilluar protesta të përditshme. Ndërkohë, liderët kryesorë të opozitës janë të burgosur, dhe mediat e pavarura e organizatat civile raportojnë për shtypje në rritje nga autoritetet.

Protestuesit kërkojnë lirimin e të burgosurve politikë, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe rikthimin e vendit në rrugën euro-atlantike. Shumë e quajnë partinë në pushtet jo më “Ëndrra Gjeorgjiane”, por “Ëndrra Ruse”, duke e akuzuar për afrim të rrezikshëm me Moskën.

Top Channel