
Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës, këtë të shtunë në fshatin Gorozhub të Hasit u bë inagurimi i ndërtimit të rrugës Pogaj–Gorozhub, një aks që lidh dy fshatra kufitare, dikur të ndarë nga një klon i hekurt.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përkrah autoriteteve vendore, banorëve të zonës, si dhe ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj.
Ky kufi për dekada përfaqësoi ndarjen mes Shqipërisë komuniste dhe Jugosllavisë, e më vonë, nën regjimin serb të Millosheviqit, u bë simbol i represionit ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në vitet ’98–’99, kjo zonë u godit nga bombardime në banesat e civilëve në të dy anët e kufirit nga forcat serbe. Shumë të rinj ranë dëshmorë në këto anë. Sot, kjo rrugë nuk është thjesht një projekt infrastrukture. Ajo është simbol i bashkimit, i kujtesës historike dhe i së ardhmes së përbashkët.
Rruga Pogaj–Gorozhub pritet të rrisë zhvillimin e zonës së Hasit, duke krijuar një lidhje të re jetike mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Top Channel