Një 22-vjeçar shqiptar është arrestuar si pjesë e një hetimi të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në lidhje me krimin e organizuar të emigracionit.

Sipas komunikatës së NCA-së që i referohet Top Channel, 22-vjeçari u ndalua nga oficerë të armatosur mbrëmjen e djeshme në Clarence Square, Brighton. Gjatë operacionit, policia ka kontrolluar një banesë dhe ka zbuluar një sasi të konsiderueshme kokaine, e ndarë në dhjetëra pako të vogla, gati për shpërndarje. Gjithashtu, u sekuestruan rreth 1,000 paund para të gatshme.

I riu u arrestua me dyshimin për pastrim parash dhe posedim me qëllim furnizimi me drogë të klasit A. Aktualisht, ai po merret në pyetje nga hetuesit e NCA-së.

Autoritetet dyshojnë se 22-vjeçari është përfshirë edhe në organizimin e kalimit të emigrantëve nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar përmes anijeve të vogla dhe mjeteve të rënda. Ai ishte arrestuar për herë të parë më 7 gusht në një qendër ndalimi pranë Aeroportit Gatwick, por ishte liruar me kusht.

Komandantja e Degës së NCA-së, Sara-Jayne Moore, deklaroi:

“Ky individ u arrestua përsëri si pjesë e hetimit tonë të vazhdueshëm për udhëtime të rrezikshme kontrabande njerëzish përmes Kanalit me anije të vogla dhe mjete të rënda. Lufta kundër kontrabandës së njerëzve është një përparësi kryesore për NCA-në, dhe ky është një nga 100 hetimet aktive që synojnë grupe apo individë të përfshirë drejtpërdrejt në organizimin e kalimeve ilegale ose në lehtësimin e kësaj veprimtarie kriminale. Hetimi ynë vazhdon me provat e mbledhura pas këtij arrestimi”.

Top Channel