
Nga foltorja e Partisë Demokratike, Sali Berisha sulmoi sërish Presidentin Bajram Begaj për dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, ndërkohë që ish-kryebashkiaku Veliaj e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, kreu i shtetit është fshehur pas këshilltarit të tij juridik, ish-ministrit demokrat, Ilir Rusmali.
“Në qoftë se shkoni dhe merrni dosjen e gjirit të Limianit, e bazës ushtarake, ju do gjeni aty se ajo dosje krimi e bëri atë president. Shqipëria nuk ka president, ka një skllav të krimit që fshihet prapa gishtit dhe që më thanë se u fsheh prapa Rusmalit. Tani më thoni ju mua pak, në të drejtën kushtetuese, ose në parimësi, njeriu më përgjegjës për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është presidenti i Republikës. Kushtetuta austriake ka për përmbarues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, presidentin e Austrisë. Kurse Bajram Limiani, fajin e ka Ilir Rusmali, tha”, deklaroi Berisha.
Kreu i opozitës konfirmoi se PD-ja nuk do ti bojkotojë zgjedhjet e pjesshme lokale.
“Tani, nuk bojkoton PD. Ne jemi në kushtet e një regjimi autoritar, ne jemi kushtet e një diktature autoritare, në të cilat ligji dhe Kushtetuta janë një letër e vdekur. Por duhet të jemi shumë të hapur, ose duhet të vazhdojmë betejën në këtë hapësirë që kemi, ose duhet të largohemi nga kjo hapësirë dhe të kalojmë me metoda të tjera”, tha kreu i PD.
Top Channel